Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani vizitoi Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut

Prishtinë, 19 janar 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani vizitoi sot Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ku u prit nga drejtori i kësaj qendre, dr. Hysen Sadriu si dhe takoi edhe një numër dhuruesish vullnetarë të gjakut.

Gjatë vizitës në QKTGJ, Ministri Rrahmani shprehu falënderimin e tij për punën e mirë të punonjësve të kësaj qendre dhe, gjithashtu, falënderoi edhe dhuruesit vullnetar të gjakut, të cilët përmes dhurimit kontribuojnë në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të vendit.

Ministri Rrahmani u shpreh i kënaqur për faktin se tetëdhjetë për qind të nevojave për gjak mbulohen nga QKTGJ përmes dhurimit të gjakut, ndërkohë që njëzet për qind të tjera, nga dhuruesit familjar.

“Jam i kënaqur me punën që bëhet në këtë qendër e sidomos për faktin se asnjë qytetar i vendit, sipas të dhënave që mu kumtuan këtu, nuk ka pësuar si pasojë e mungesës së gjakut”, tha Ministri Rrahmani.

Kurse, drejtori i QKTGJ, Hysen Sadriu, tha se stafi i kësaj qendre është mjaft i përkushtuar në punën e tij, në qendër kryhen me mijëra dhurime të gjakut dhe testime dhe se qendre, ja ka dalë që të plotësojë nevojat e qytetarëvë falë përkrahjes së Ministrisë së Shëndetëisë dhe dhuruesve vullnetarë të gjakut.

Ai kërkoi përkrahjen edhe të mediave që te qytetarët të përçohet drejt mesazhin e rëndësisë së dhurimit vullnetar të gjakut , duke njohur faktin që dhurimi vullnetar i gjakut e ka kuptimin e shpëtimit të jetës së njerëzve në nevojë.

Në shenjë të përkrahjes së këtij mesazhi, disa punonjës të MSh-së dhe pjesëtar të medias dhuruan vullnetarisht gjak.