Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani vlerëson lart rolin e infermierisë në debatin në “Qeap –Heimerer”

Prishtinë, 10 maj 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani mori pjesë sot në debatin: “Përmirësimi i reziliencës (aftësive ripërtëritëse) të sistemeve shëndetësore”, organizuar nga Qendra Evropiane për Arsim Profesional “Qeap-Heimerer” në Prishtinë, në prag të 12 Majit-Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë.

Ministri Rrahmani, duke përgëzuar infermierët për ditën e tyre ndërkombëtare, tha se infermieria sot është një segment shumë i rëndësishëm në suksesin e shërbimeve shëndetësore, ndërsa i vlerësoi të arriturat në këtë drejtim në Kosovë viteve të bëra viteve të fundit.

“Ministria e Shëndetësisë është e interesuar që ta mbështes këtë segment, në mënyrë që kjo kategori shumë e rëndësishme e sistemit tonë shëndetësor të jetë në nivel të obligimeve profesionale”, tha Ministri Rrahmani, duke theksuar angazhimet në reformën e programeve të edukimit për infermierinë”.  Ministri Rrahmani përgëzoi drejtuesit e Qeap Heimerer për sukseset e arritura dhe gjithashtu edhe Odën e Infermierëve të Kosovës, për angazhimin shumë serioz në drejtim të fuqizimit të këtij mekanizmi përfaqësues të tyre dhe rolit të infermierisë brenda komunitetit mjekësor në Kosovë dhe në shoqëri në përgjithësi.

Petrit Beqiri, drejtor i “Qeap-Heimerer”  tha se tryeza e organizuar ka për qëllim të nxis frymën e debatit lidhur me sfidat e sistemit shëndetësor, shikuar nga këndvështrimi i infermierëve për realizmin sa më të mirë të shërbimeve shëndetësore cilësore për qytetarët e vendit.

Tryezën me pjesëmarrjen e tyre e kanë përshëndetur edhe dr. Arben Vitia, drejtor i Drejtorisë Komunalë për Shëndetësi të Prishtinës, kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Debati është fokusuar në atë se çfarë është rezilienca e shërbimeve shëndetësore, rëndësia e saj dhe raportet e saj me profesionistët shëndetësor dhe vendim-marrësit e sektorit shëndetësor.

Moto e sivjetme e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë është: “Infermierët-një forcë për ndryshim”.