Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Vitia priti në takim krerët e Kuvendit, kryetaren Vjosa Osmani dhe nënkryetaren Arbërije Nagavci

Sot Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Arben Vitia bashkë me zv/ministrat Sreten Trajkoviq dhe Izet Sadikun pritën në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe nënkryetaren, znj. Arbërije Nagavci.

 Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për menaxhimin e situatës me COVID-19.

 Znj. Vjosa Osmani në këtë takim falënderoi ministrin Vitia dhe të gjitha institucionet e përfshira në parandalimin e përhapjes së pandemisë në vendin tonë. Sipas saj, masat e ndërmarra në kohë kanë ndikuar që sot në vend të kemi një situatë më të mirë krahasuar me shtetet e rajonit.

 Znj. Osmani tha se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të bashkëpunojë ngusht përballë këtij “armiku të padukshëm”, i cili nuk njeh as ndarje politike e as etnike.

 Ndërsa ministri Vitia i falënderoi znj. Osmani dhe znj. Nagavci për gatishmërinë e treguar, si dhe i njoftoi për së afërmi me Planin e Veprimit përmes së cilit do të operojnë institucionet e vendit.

Në këtë takim u ripërsërit qëndrimi se respektimi i masave parandaluese nga qytetarët është jetik në parandalimin e përhapjes së pandemisë.

 Ndër të tjera u disktua edhe për harmonizimin e veprimeve në raport me adresimin e çështjeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.