Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Zemaj dhe shefi i UNICEF-it në Kosovë, Sahin,  shënojnë fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë z. Armend Zemaj dhe shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin, të shoqëruar nga drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së,  z. Naser Ramadani, morën pjesë sot në fillimin e shpërndarjes së vaksinave kundër gripit sezonal për këtë vit në Kosovë.

 Ministri Zemaj tha se me 165.000 vaksinat e para, të siguruara, do të imunizohen grupet më të rrezikuara të popullatës në shtetin tonë.

 “Ministria është në proces të sigurimit edhe të 50.000 vaksinave të tjera me çka arrijmë të shtojmë për 100 për qind numrin e vaksinave krahasuar me vitin paraprak. Vaksinat e blera nga Ministria e Shëndetësisë përmes UNICEF-it do të shpërndahen dhe jepen falas për qytetarët e vendit tonë. Do të ketë vaksina të mjaftueshme, sipas planit të vaksinimit dhe, sipas nevojës, do të mund të sigurojmë edhe të tjera”, tha Ministri Zemaj.

 Ai theksoi se, me qëllim të parandalimit të virusëve sezonal agresiv në qarkullim, MSh ka siguruar vaksina katër – valente,  që kanë fuqi më të madhe vepruese/parandaluese ndaj këtyre virusëve.

 Shefi i Zyrës së UNICEF-it, z. Murat Sahin, tha se UNICEF-i i ka punuar ngushtë me MSh-në në sigurimin e vaksinës kundër gripit sezonal dhe se kjo organizatë do të punojë me MSh-në edhe në përpjekjet për të prokuruar dhe furnizuar me vaksina kundër COVID-19.

 Drejtori i IKSHPK-së, z. Naser Ramadani, tha se vaksinat do të fillojnë të shpërndahen nëpër njësitë e vaksinimit të Kujdesit Parësor në Komuna (QKMF) ku edhe do të bëhet vaksinimi i grupeve prioritare sipas planit të bërë më herët.