Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Zemaj kërkon nga drejtorët e spitaleve që të shtojnë angazhimet kundër Covid-19

Ministri i Shëndetësisë, z. Armend Zemaj ka takuar sot drejtorët e spitaleve të përgjithshme (SHSKUK) për t’u njohur me gjendjen e spitaleve si dhe përgatitjet për situatën epidemiologjike. Tash për tash, situata në spitale është stabile, por, kërkohet kujdes dhe angazhimi shtuar.

Ministri tha se përkujdesja shëndetësore nuk guxon të mungojë, për shkak të virusit dhe se asnjë kufizim i trajtimit të pacientëve nuk mund të bëhet në spitale e as QKUK.

 “ Spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në, duke udhëzuar rastet. Pacientët që mund të marrin trajtimin e duhur në spitalet rajonale, duhet të mbesin aty, në të njëjtën kohë llogaridhënia me transparencën janë të pandashme në punën tonë ditore, ky është edhe detyrimi i secilit menaxher e drejtues në sektorin publik”,  tha ministri Zemaj.

 Ministri Zemaj theksoi se pret nga secili përgjegjës që të jetë në nivelin e duhur, duke mos e ulur ritmin e punës dhe të vazhdohet me përkushtim të shtuar.

 Ministria e Shëndetësisë ka shtuar numrin e profesionistëve në institucione shëndetësore me 200 profesionistë të tjerë derisa edhe 375 profesionistë të tjerë dhe staf mbështetës nga fusha të ndryshme i janë shtuar sistemit shëndetësore, ndërkohë që janë ndarë edhe rreth 1500 specializime për mjekët me qëllim që të njëjtit përmes shkollimit specialisti të kontribuojnë edhe në fuqizimin e kapaciteteve për menaxhimin e pandemisë Covid-19.