Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Zemaj nënshkruan edhe tre udhërrëfyes të tjerë klinikë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj nënshkroi sot edhe tre udhërrëfyes klinik, të hartuar nga grupet profesionale dhe miratuar nga Këshilli Kombëtar për Udhërrëfyes dhe Protokolle Klinike.

Udhërrëfyesit e nënshkruar nga Ministri Zemaj janë: Trajtimi i sëmundjes iskemike trunore;  Kujdesi dhe trajnimi i personave të diagnostikuar me Hepatit C; dhe Menaxhimi farmakologjik i sëmundjes së sheqerit tip 2 tek të rriturit.

 Udhërrëfyesi i parë ndihmon profesionistët që të kenë qasje më të lehtë në trajtimin e sëmundjes iskemike trunore, por edhe tregon hapat e trajtimit të bazuar shkencor; i dyti do të ndihmoj profesionistët shëndetësor, që kujdesi dhe trajtimi i të infektuarve me Virusin e Hepatitit C të jetë profesional, derisa udhërrëfyesi i tretë ka për qëllim që të gjithë mjekët që merren me të sëmurët me sëmundjen e sheqerit tip 2 në Kosovë për të rritur, t’ju ndihmojë në vendimet e përditshme klinike.

Ministria e Shëndetësisë deri tani ka aprovuar 17 udhërrëfyes klinik, 9 prej të cilëve gjatë mandatit të ministrit Zemaj.

Dy udhërrëfyes të tjerë të planifikuar për sivjet janë në fazën finale dhe të njëjtit pritet të aprovohen e nënshkruhen së shpejti.