Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Zemaj takohet në Vjenë me autoritete shëndetësore dhe politike të Austrisë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj po qëndron për një vizitë zyrtare në Austri.

Gjatë vizitës në Vjenë, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj është pritur nga ministri federal i Shëndetësisë, Çështjeve sociale, Përkujdesje dhe Mbrojtjen e konsumatorit, z. Rudolf Anschober.

Gjatë takimit është diskutuar për çështjen e pandemisë dhe menaxhimit të saj, veprimet e kundërvënies dhe luftimin e virusit Sars-Cov-2, kapacitetet spitalore dhe kapacitetin e testimeve.

“ Republika e Kosovës ka nevojë për bashkëpunim, sikundër që kemi nevojë për ndihmë dhe përkrahje, në veçanti në prezantim dhe mbështetje të interesave tona, për sigurimin e vaksinës anti Covid-19 për  qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ministri Zemaj.

Ndërsa gjatë takimit me Odën e Mjekëve të Austrisë, të kryesuare nga presidenti, Prof. Dr. Thomas Szekeres,  ministri Zemaj ka marr mbështetjen e për specializime dhe subspecializime për fushat mjekësore që mungojnë në Kosovë.

“Ftova Odën e Mjekëve të Austrisë të vijnë në Kosovë për vizitë dhe thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm me Odën e Mjekëve të Kosovës por edhe me Fakultetin e Mjekësisë dhe SHSKUK, për harmonizimin e mëtejmë të nevojave tona në fushën e specializimeve”, theksoi ministri Zemaj.

Austria është vend mik që ofroi mundësi dhe mbështetje për qytetarët tanë, por edhe ushqen miqësi të konfirmuar ndaj nesh edhe gjatë historisë.

Ministri Zemaj ka marr mbështetje nga homologu i tij austriak për ndihmë të mëtejme si në menaxhimin e situatës së Covid-19, po ashtu edhe në këmbimin e përvojave të sistemeve shëndetësore të dy shteteve respektive.

Ministri Zemaj gjatë vizitës ishte i shoqëruar nga Prof. Lul Raka, kryesues i Bordit Këshillëdhënës për COVID-19.