Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë apelon për respektim të masave kundër Gripit

Ministria e Shëndetësisë i ka ndërmarra të gjitha masat që janë rekomanduar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për menaxhimin e pandemisë së Gripit A H1N1, ndërsa me qëllim të përballimit edhe të rasteve të Gripit sezonal, MSh ka ngritur gjatë këtij viti numrin e vaksinave, të cilat po shpërndahen përmes Qendrave të Mjekësisë Familjare tek qytetarët e vendit.

OBSH u ka dhënë prioritet disa vendeve në zhvillim në marrjen e një sasie falas të vaksinave kundër Gripit A H1N1 dhe në këtë aspekt, një kontigjent i këtyre vaksinave që u dedikohen këtyre vendeve, pritet që në dhjetor të shpërndahen edhe në Kosovë, ndërkohë që MSh do t’i ndjek të gjitha procedurat e kërkuara, që të blihet pjesa tjetër e vaksinave sipas planifikimeve të mëhershme dhe rekomandimeve të OBSH-së.

MSh rikujton ndërkaq, se vendi posedon sasi të konsideruara të medikamentit Tamiflu, i cili mund të përdoret për trajtimin klinik të rasteve të reja eventuale të Gripit A H1N1.

Në ndërkohë, në Kosovë do të vazhdojnë aktivitetet parandaluese ndaj Gripit A H1N1, derisa Ministria i porosit qytetarët e vendit që të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë disa këshilla praktike, por të cilat shpëtojnë jetë.

Lajmërimi i menjëhershëm të mjeku më i afërt në momentin e paraqitjes së simptomave të para të dyshimta, pastrimi i rregullt i duarve me sapun, largimi nga ambientet shumë të fekuentuara dhe të mbyllura, shmangia e kontakteve me njerëzit që kanë shenja gripi, mbulimi i gojës dhe hundës në rastet kur teshtitet, mbajtja e higjienës në shkolla, institucione e shtëpi, etj, janë disa nga masat e thjeshta, por me të cilat qytetarët mbrojnë veten dhe të tjerët .