Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë bën gati për Qeveri Projektligjin e Sigurimeve Shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë bën gati për Qeveri Projektligjin e Sigurimeve Shëndetësore

 

“Qëllimi është që përmes këtij ligji çdo qytetar i vendit të ketë sigurimin shëndetësor të detyrueshëm dhe të jetë i përfshire brenda skemës së sigurimeve shëndetësore publike, dhe që asnjë qytetar i vendit, pa marrë parasysh gjendjen e tij ekonomike, të mos jetë jashtë kësaj skeme”, tha Ministri Ferid Agani

 

Prishtinë, 3 dhjetor 2013

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani tha sot se Ministria e Shëndetësisë e ka përfunduar draftin e Projektligjit për Sigurime Shëndetësore, i cili që prej javës së kaluar është hedhur në diskutim publik.

Me përfundimin e këtij projektligji, Ministri Agani tha se përfundohet cikli i negociatave dy vjeçare me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar si institucione ndërkombëtare, dhe me mekanizma e institucione të tjerë vendorë, para se drafti t’i dërgohet për miratim Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

 

“Ministria e Shëndetësisë është e bindur se nisma e kësaj here për të miratuar Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore do të rezultojë me sukses, pasi që është pjesë e një plani reformues të shëndetësisë, dhe jo një nismë e fragmentuar legjislative, siç ishin përpjekjet vitit 2005 dhe 2006 kur një ligj i tillë nuk u arrit të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Ministri Agani.

 

Me miratimin e këtij projektligji, sigurohet ligji i katërt sistemik në kuadër të reformës shëndetësore, përfshirë këtu edhe Ligjin për Shëndetësi, Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor dhe Ligjin për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, theksoi Ministri Agani.

 

Në një konferencë për media, të mbajtur sot në MSh, Ministri Agani shpjegoi se Projektligji për Sigurime Shëndetësore ka për qëllim që qytetarëve në Kosovë t’u sigurojë shërbime më të mira shëndetësore dhe ky ligj, në vitin e parë të implementimit të tij, pritet t’i sjell buxhetit të shëndetësisë 90 milionë euro me shumë, që paraqet një injeksion financiar  domethënës, i cili do të ndihmojë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore, kapaciteteve të tjera dhe, qytetarët e vendit, do t’i bëj me sigurime shëndetësore.

 

Ministri Agani shpjegoi se në bazë të Projektligjit për Sigurime Shëndetësore, të gjithë qytetarët e vendit, do ta kenë sigurimin shëndetësore themelor të detyruar, ndërsa kontributet apo premiumet për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, sipas parashikimeve të Ministrisë, do të fillojnë të mblidhen nga Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë si paraardhës  i Fondit, në tre mujorin e fundit të vitit 2014, për të filluar me zbatim të sigurimeve shëndetësore nga janari 2015.

 

Ministri shpjegoi edhe bazën se si do të bëhet mbledhja e kontributeve apo premiumeve në  Fondin e Sigurimeve shëndetësore.

 

“Projektligji parasheh tri baza për mbledhjen e premiumeve: Në sektorin publik punëdhënësi dhe punë-marrësi do të paguajnë 3.5% nga bruto paga (para ndaljes së tatimit në pagë) pra gjithsejtë 7%; në sektorin privat dhe publiko-privat do të paguajnë vetëm kompanitë me qarkullim më të madh se 50.000 Euro dhe TVSH të deklaruar njëlloj sikur sektori publik 3.5% + 3.5%; në kompanitë e tjera të mesme dhe të vogla punëdhënësit nuk paguajnë kontribut të premiumit shëndetësor, por vetëm të punësuarit nga 3.5 euro për kokë të anëtarit të familjes. Të tjerët,  (të gjithë të tjerët përfshirë të punësuarit në kompanitë e mesme dhe të vogla me qarkullim më të vogël se 50.000 Euro) do të paguajnë nga 3.5 Euro për një anëtarë të familjes çdo muaj. Përjashtim janë qytetarët dhe banorët e varfër të cilët janë nën asistencë sociale. Kategoria e këtyre qytetarëve dhe banorë do të përcaktohen me akt të veçantë nën-ligjor që do ta nxjerrin Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ata do të jenë të liruar nga skema e pagesave, ndërkohë që do të kenë sigurime shëndetësore themelore.

 

“Qëllimi është që çdo qytetar i vendit të ketë sigurimin shëndetësor të detyrueshëm dhe të jetë i përfshire brenda skemës së sigurimeve shëndetësore publike, dhe që asnjë qytetar i vendit, pa marrë parasysh gjendjen e tij ekonomike, të mos jetë jashtë kësaj skeme”, tha Ministri Agani. Ai shpjegoi, gjithashtu, se Ligji i Sigurimeve Shëndetësore parashikon financimin e kombinuar prej buxhetit aktual të shëndetësisë dhe premiumeve apo pagesave që do të mblidhen nga Fondi.

 

Ajo që është me rëndësi të theksohet, shtoi më tej Ministri Agani,  është se Ligji për sigurime shëndetësore nuk do të ketë implikime buxhetore në vitin 2014.  “Ndërkaq, kostoja e ligjit për vitin 2015 llogaritet të jetë rreth 17 milionë euro si kosto direkte për sektorin publik dhe si kosto indirekte rreth 14 milionë euro për sektorin privat”.

 

Ministri Agani, tha se para fillimit të zbatimit të ligjit duhet të plotësohen disa parakushte që kanë të bëjnë me regjistrimin e të siguruarve në sistemin e informimit shëndetësor. Shumë prej këtyre parakushteve Ministria veç i ka krijuar, duke filluar me krijimin e Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë, krijimin e çmimores për listën e shërbimeve të kujdesit themelor, avansimimin me sistemin e informimit shëndetësor dhe zhvillimin e disa moduleve të tij, UA për të kategorinë e personave të liruar nga bashkëpagesat dhe premiumet…

 

“ Ne presim në variantin e parashikuar që mbledhja e premiumeve të fillojë në shtator 2014 dhe zbatimi i sigurimeve të fillojë prej 1 janarit 2015”, tha Ministri Agani. Ai theksoi se zbatimi i këtij ligji do të mbështetet nga Banka Botërore me projektin në vlerë prej 25.6 milion dollarë, Qeveria Zvicerane me projektin në vlerë prej 8 milion franka zvicerane si grant dhe Qeveria e Luksemburgut me projekt në vlerë prej 7 milion euro si grant gjatë 5 viteve të ardhshme.

 

“Jemi të bindur se me këtë projektligj kemi vendosur një ekuilibër të suksesshëm dhe ky version i ligjit garanton përmirësimin e gjendjes në shëndetësi”, theksoi Ministri Ferid Agani.

Debate dhe diskutime të tjera për këtë projektligj do të zhvillohen gjatë dy javëve të ardhshme, ndërkohë që parashikimet e MSh-së janë që ai të dërgohet në javën e tretë të dhjetorit në Qeveri për miratim.