Prej buxhetit total prej 21 milionëve sa ka MSH-ja në dispozicion për t’i furnizuar institucionet shëndetësore të tre niveleve (primar, sekondar dhe terciar), deri tash, MSh ka angazhuar 11.500.000 euro, që qartazi demantojnë pohimet për kinse shpenzimin e buxhetit të barnave prej 80 për qind.
Sa i përket furnizimit me insulinë, në këtë pikë, LDK-ja është vonuar me kritikat e saj, sepse, MSh e ka zgjidhur situatën duke siguruar insulina për të gjithë pacientët e vendit, të cilat janë duke ju shpërndarë atyre, sipas nevojave që i kanë.
Ndërsa kur është në pyetje furnizimit me barna dhe materiale shpenzuese, furnizimi është duke u bërë sipas mundësive buxhetore, të cilat nuk janë adekuate, por, brenda të cilave MSh-ja po bën maksimumin që t’i racionalizojë furnizimin, në pajtim edhe me vlerësimin dhe analizën e bërë të barnave, sipas Listës Vitale, Esenciale dhe Jo-esenciale, të hartuar bazuar në prioritetet e sistemit, mundësitë buxhetore dhe praktikat e mira të furnizimit.
Është e vërtetë që ka pasur telashe në furnizime në fillim të vitit, të lidhura edhe me alokimin e mjeteve, por në këtë fazë, nuk është e vërtetë se MSh nuk i ka furnizuar me artikujt e apostrofuar nga zyrtarët e LDK-së institucionet shëndetësore, dhe për këtë gjë, ata mund të binden nëse i konsultojnë të dhënat e besueshme dhe zyrtare të furnizimeve dhe nuk merren me pohime të pa verifikuara.
Ndërkohë, sa u përket konkurseve për pozita të ndryshme bë sistemin shëndetësor, MSh është e përkushtuar që ato tashmë të zhvillohen në pajtim me ligjet e reja të hyra në fuqi në shëndetësi dhe të cilat reflektojnë edhe nevojën ndryshime dhe reformat, të cilat në shëndetësi kanë filluar dhe nuk do të ndalen.