Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dhe partnerët prezantojnë të dhënat e para rreth zbatimit të ligjit për Kontrollin e Duhanit

 

Ibrahim Tërshnjaku, drejtor i inspektorëve sanitarë të Kosovës (AVUK), tha se në periudhën kohore një mujore prej se ka hyrë në fuqi Ligji për Kontrollin e Duhanit, Inspektorati Sanitar ka  kryer 2000 inspektime, ka dhënë 394 vërejtje dhe ka shqyrtuar edhe 40 ankesa.

Ruzhdi Shehu, Kryeinspektor i Tregut (MTI), tha se gjatë kësaj kohe inspektorët e tregut kanë njoftuar subjektet afariste lidhur me ato që i parasheh ligji, sa i përket shitjes dhe ekspozimit dhe, vlerësoi se ndalimi i ekspozimit të shitjes është duke u respektuar shumë mirë në subjektet afariste, ndërkohë që do të vazhdohet me aksione me qëllim që ky trend të vazhdojë dhe të forcohet.

Dr. Ardita Baraku, kryeinspektore shëndetësore (MSH), tha se ISh ka kryer 39 inspektime në institucione shëndetësore publike dhe private, dhe në tetë prej tyre, janë gjetur shkelje të ligjit ( në shtatë klinika të QKUK-së dhe të një spitali rajonal, të cilat Inspektorati i ka sanksionuar.

Arben Lila (KADC) ka folur për denoncimet që qytetarët i kanë bërë shkeljes së ligjit në numrin e vënë në dispozicion pa pagesë nga MTI (080011000), ku janë regjistruar 94 denoncime me emra të subjekteve ku është shkelur ligji, të cilat të dhëna u janë vënë në dispozicion inspektorateve përgjegjëse.
Ai prezantoi edhe disa ekzemplarë të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në formë të librave të xhepit, të cilat janë përgatitur për inspektorët, ndërkohë që ka folur edhe për aktivitetet e përbashkëta që gjatë kësaj kohe i kanë zhvilluar KADC me MSH-në, OBSH-në dhe partnerët e tjerë, përfshirë punëtorinë me inspektorët sanitarë të gjitha komunave, shtypjen e materialeve dhe spoteve vetëdijesuese, broshurave, stikersëve, etj.

Dr. Skënder Syla, duke rikujtuar atë që kishte thënë më 31 maj 2013 , në Ditën Botërore pa duhan se “koha do ta dëshmojë se ky ligj do të zbatohet dhe është një nga ligjet me ndikimin më të mirë nën shëndet”, tha se në muajin e parë, zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit është një storie suksesi në Kosovë.

Ndërkaq, Ministri Agani ritheksoi faktin se MSh me partnerët, do të bëjmë çmos që t’u ndihmojnë qytetareve ta zbatojnë ligjin, atyre që kanë mundësi edhe ta lënë prirjen e duhanit, ndërkohë që theksoi se në shoqëri do të ketë çdo herë të atillë që do të bëjnë shkelje, por veprimet e këtilla, do të punohet që të reduktohen dhe të ndëshkohen.
Ligji për Kontrollin e Duhanit ka hyrë në fuqi më 22 maj të këtij viti.