Kjo marrëveshje që përforcon marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë në mes të dy shteteve përcakton kornizën ligjore për kontributin e Qeverisë Zvicerane në lidhje me projektin "Psikologjia Klinike dhe Psikoterapia në Kosovë", për periudhën nga 1 shtator 2012 deri më 30 shtator 2015 dhe kontributi i tillë sigurohet në pajtim me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në veçanti të Ministrisë së Shëndetësisë.
Projekti i kontribuon rritjes së profesionalizmit dhe cilësisë së shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë, duke zgjeruar më tej fushëveprimin dhe llojet e shërbimeve të ofruara. Projekti do ta mbështesë Ministrinë e Shëndetësisë në krijimin dhe zbatimin e programeve gjithëpërfshirëse të trajnimit post-diplomik në psikologji klinike dhe psikoterapi, përfshirë edhe qasjen e trajnimit të mbikëqyrësve për trajnime të mëtejme.
Me marrëveshjen për zbatimin e projektit, SDC vë në dispozicion një grant prej më së shumti 600,000 CHF (gjashtë-qind-mijë franga zvicerane) që do të shfrytëzohen vetëm për qëllimet dhe objektivat e projektit të Psikologjisë klinike dhe psikoterapisë në Kosovë.
Marrëveshja u vlerësuar si shumë e rëndësishme nga Ministri Agani dhe z. Baechler dhe si një kontribut në vazhdimësi i Qeverisë zvicerane për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë dhe avancimin e edukimit të vazhduar profesional.