Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë hedhë poshtë dezinformatat për kinse blerje të barnave pa afat

Prishtinë, 06.07.2014

 Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhje me rastin e dezinformimit të opinionit publik përkitazi me të gjeturat në Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për tabelat financiare të Ministrisë për vitin 2013 nga ana e disa portaleve informative me 05 Korrik 2014 me titullin “Ferid Agani, bleu barna pa afat me vlerë mbi 4 milionë euro ” duke e vlerësuar atë si plotësisht të pavërtetë, të pa-argumentuar, tendencioz dhe qëllimkeq.

Ministria e Shëndetësisë me përgjegjësi të plotë informon opinionin publik se çdo blerje ose pranim i donacioneve të barnave dhe materialit harxhues gjatë vitit 2013 është bërë në pajtim të plotë me dispozitat ligjore në fuqi dhe interesin e pacientëve për furnizim me kohë me barna dhe material harxhues. Këto pohime nuk kanë asnjë argumentim në Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për tabelat financiare të Ministrisë për vitin 2013 të cilit i referohen, që bën fjalë për “Pranimin e produkteve me afat të shkurtër të qëndrueshmërisë” dhe jo për barna me afat të skaduar. Kjo çështje është qartë e rregulluar me Udhëzimin Administrativ 17/2013 dhe, së fundi Ligjin për Produkte Medicinale dhe Pajisje Mjekësore 04/L-190, nenin 40 paragrafin 3.7 me të cilin përcaktohet se afati minimal i qëndrueshmërisë prej një (1) viti “mund të rishikohet nga Komisioni për donacione i Ministrisë së Shëndetësisë në raste të veçanta kur një donacion është i domosdoshëm dhe nevoja për të është urgjente”. Me rastin e marrjes së vendimeve për blerjen dhe pranimin e donacioneve të produkteve medicinale Ministria e Shëndetësisë është mbështetur ekskluzivisht në dispozitat ligjore në fuqi, domosdoshmërinë e furnizimit urgjent me produktin e caktuar medicinal, si dhe vlerësimin zyrtar të institucioneve përkatëse shëndetësore se do të mund të shpenzojnë këtë produkt brenda afatit të përdorimit.

Ministria e Shëndetësisë informon opinionin se nga kjo kategori e produkteve medicinale të domosdoshme për të cilat ka pas nevojë urgjente në institucionet shëndetësore (kryesisht në shërbimet e emergjencës) janë blerë barna dhe material harxhues në vlerë prej 1.3 milion euro dhe jo mbi 4 milion euro siç dezinformohet opinioni. Ministria e Shëndetësisë thekson se e gjithë sasia e blerë e këtyre produkteve medicinale është shpenzuar në tërësi nga institucionet shëndetësore brenda afatit të përdorimit dhe prej tyre vetëm tre (3) artikuj që janë pranuar gjatë vitit 2013 kanë skaduar në vitin 2013. Të njëjtit, pas skadimit të afatit janë zëvendësuar nga furnizuesi në përputhje me deklaratën e paraqitur me rastin e dorëzimit të produktit medicinal se në rast se produkti nuk shpenzohet brenda afatit të përdorimit, sasia e mbetur do të zëvendësohet me sasi të re me afat të mirë të përdorimit. Nga faktet e sipër përmendura mund të përfundohet se buxheti i Kosovës në asnjë rast nuk është shpenzuar në produkte të pa përdorshme.