Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë investon për ngritjen e Spitalit të Kraharorit në Pejë

Dr. Sylejmani ka folur për përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të shtuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore, barnave dhe racionalizimet e vazhdueshme në shëndetësinë kosovare në funksion të mirëqenies shëndetësore të gjithë qytetarëve.

Investimi në Spitalin e Sëmundjeve të Kraharorit kap vlerën prej mbi 700 mijë eurove dhe është vazhdimësi  e investimeve që po bën MSh-ja me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

Dr. Ali Berisha, ka folur  për bashkëpunimin e mirë midis pushtetit qendror dhe atij lokal, ngritjen e shërbimeve të reja në favor të shëndetit të qytetarëve si dhe përmirësimin e vazhdueshëm në shëndetësi.

Ndërsa drejtori i Spitalit rajonal në Pejë, Dr. Skënder Dreshaj falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë për përkrahje të gjithanshme duke evidentuar përmirësime në ngritjen e shërbimeve të reja shëndetësore, furnizimin me barna si dhe mbështetjen e vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Në Spitalin e Sëmundjeve të Kraharorit përveç trajtimit të sëmundjes së TBC-së, ulja e incidencës së të cilës sëmundje është prioritet, edhe për faktin se një numër i pacientëve po tregohet rezistent në terapinë që po përdoret për këtë sëmundje, do të trajtohen edhe sëmundje të tjera të kraharorit, derisa synimi është që spitali të ketë edhe salla operative.

MSh mbetet e përkushtuar që të ngre edhe më tej nivelin e infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore në krejt vendin.