Në këtë aspekt, në bashkëpunim me Zyrën për Veteranët e luftës të UÇK-së, që funksionin në kuadër të Kryeministrisë së Kosovës, dhe falë bashkëpunimit korrekt me përfaqësueist e kësaj kategorie, vetëm gjatë vitit 2009 MSh ka përfshirë në Programin e Trajtimit Jashtë vendit rreth 60 veteranë dhe invalidë të luftës të UÇK-së, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë raste të natyrës ortopedike, gjegjësisht për vendosje të protezave të ndryshme, por ka pasur edhe raste të natyrave të tjera si nga Kardiokirurgjia, Kardiologjia, Onkologjia, etj.
Trajtimi i këtyre rasteve është bërë me mjetet nga Fondi i veçantë që ndan Qeveria e Kosovës për këtë kategori, por edhe nga fondet e Programit për Trajtim Jashtë vendit të Ministrisë së Shëndetësisë.
MSh mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me Zyrën për Veteranët e Luftës të UÇK-së, të shtyjë para projektin për një qendër të vendosjes së protezave në Kosovë, ndërkohë që mirëpret kontributin e secilës organizatë apo individ që në forma të ndryshme ndihmon kategorinë e veteranëve të luftës të UÇK-së.