Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë kërkon disiplinë në planifikimet dhe shpenzimin e barnave

Ministria është e pakënaqur me planifikimet jo adekuate nga ana e institucioneve për barna dhe material shpenzues, e po ashtu edhe me paaftësinë e disa strukturave për të vënë në shërbim aparatet e shtrenjta të blera nga buxheti i saj dhe mos-shfrytëzimin e tyre.
Ky disproporcion midis kërkesave vjetore dhe atyre mujore dhe shpenzimeve të bëra, është në disa struktura është  shumë i theksuar, dhe kjo e ka dëmtuar furnizimin e qëndrueshëm.

Ministria e ka bërë të qartë se furnizimet bëhen në bazë të kërkesave që i bëjnë vet strukturat shëndetësore, dhe në bazë të porosive të tyre, ndërsa MSH kryen vetëm shërbimet e prokurimit dhe distribuimit.

Në bazë të analizave të bëra midis porosive dhe furnizimeve, ka rezultuar shembull që Qendra Klinike Universitare e Kosovës të ketë kërkuar për këtë vit 112.000 filma rentgeni dhe të këtë shfrytëzuar 48.900, disa spitale rajonale të kenë kërkuar nga 18.000 filma e të kenë shpenzuar prej 1.100 deri në 6.000 maksimumi, ndërsa që në disa spitale kanë pasur telashe me funksionimin e CT-ve , për mungesë angazhimi për t’i eliminuar defektet e vogla dhe mirëmbajtur ato.

Në bazë të analizave të MSH-së, ka rezultuar se asnjë nga institucionet e nivelit terciar dhe sekondar, nuk ka pasur mungesë të filmave gjatë këtij viti, e as mungesë kontrasti, ndërsa sa u përket Insulinave, megjithëse MSh kishte siguruar me kohë sasinë vjetore, për shkak të shpenzimeve të pakontrolluara nga strukturat shëndetësore, është ndie mungesa e saj për disa muaj. Kjo tregon për mungesë të një organizimi më të mirë në relacionin midis planifikimeve, porosive vjetore e atyre mujore dhe furnizimeve të bëra.

Sekretari Permanent, Ilir Tolaj ka shprehur shqetësimin edhe për mos aktivizimin e Rezonancës Magnetike në Institutin e Onkologjisë dhe ka gjetur formën që nga buxheti i Ministrisë QKUK-së të alokohen tash mjete shtesë për futjen në funksion të Rezonancës dhe aftësimin e një CT-je 64 shtresore, sepse sikur është parë edhe nga raportimi i vet menaxherëve, ndërprerja e funksionimit të Rezonancës është bërë pa arsye të qëndrueshme, derisa është kërkuar që nga java që vjen, shërbime të Radiologjisë nga Qendra  Diagnostike e QKUK-së të barten në Onkologji dhe të ofrohen ato shërbime diagnostike nga radiologjia që ka mundësi të kryhen. 
Gjithashtu, është parë se disa spitale nuk kanë pasur telashe me funksionimin e CT-ve e as mungesa të filmave dhe kontrastit, por që problemet janë manifestuar te planifikimi jo adekuat.

Gjithashtu, është vërejtur se si pasojë e mos-referimit adekuat të rasteve, QKUK ka qenë e stërngarkuar me raste nga Spitalet rajonale dhe në Qendrën Diagnostike të QKUK-së, mesatarisht në muaj kryhen prej 8.000-9.000 shërbime diagnostiko nga radiologjia dhe prej 70-75 CT, që kryhen me tri CT (në Diagnostikë, Neurologji dhe Emergjencë).

Tolaj ka thënë se duhet të bëhet e qartë se me një buxhet të ngjashëm sikur ky në dispozicion, i cili sivjet ka pësuar shkurtime për disa milionë, do të ketë edhe në të ardhmen mungesa, nëse ai nuk rritet, por planifikimi më i mirë racionalizon shpenzimet dhe buxhetin dhe siguron në furnizim më të qëndrueshëm dhe ka kërkuar që të zvogëlohen në maksimum blerjet jashtë Listës Esenciale.
“Me mjetet që kemi në dispozicion, Ministria do të furnizojë strukturat e saja me barna dhe material shpenzues, por do të kërkojë disiplinë maksimale që midis porosive dhe furnizimeve të mos këtë disproporcion.  Barnat që blihen sipas porosive do të distribuohen dhe nuk do të tolerohet që të ato të porositen e atyre t’u kalojë afati pa u përdorur”, ka tërhequr vërejtjen Sekretari Permanent i MSH-së, Ilir Tolaj.