Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë lansoi Planin Strategjik për HIV/AIDS 2009 -2013

Ministri Gashi tha se dokumenti do të shërbejë për zotimin për kontribut të niveleve më të larta shtetërore,  për tërheqje dhe mbajtje të fondeve nga Qeveria dhe donatorët, për sigurimin e rolit të rëndësishëm të shoqërisë civile dhe komuniteteve të afektuar, për bashkërenditjen e mbështetjes ndërkombëtare,   për t’iu përgjigjur heterogjenitetit të epidemisë dhe për zbatimin e principeve të Treshes së UNAIDS ( Three Ones).

“Fatmirësisht në vendin tonë  numri i të prekurve me HIV nuk është i madh.  Por, janë shumë faktorë që këtë gjendje mund ta ndryshojnë për te keq  për kohë shumë te shkurtë. Andaj, është përkushtimi institucional që me kohë të ndërmerren te gjitha masat e nevojshme për parandalim”, tha ministri Gashi.

Znj. Osnat Lubrani, koordinatore e Agjencioneve të Kombeve të Bashkuara, tha se Plani strategjik është sigurisht një hap shumë i rëndësishëm , por e duhet të zotohemi për zbatimin e plotë të këtij plani.

“Ky plan konkret, masat konkrete për secilin institucion me një sistem të qëndrueshëm të koordinimit, i cili duhet të vendoset, do ta ndihmoj të gjithëve që t’i bashkojmë përpjekjet tona dhe dokumentin ta shndërrojmë në punën tonë të përditshme” tha znj. Lubrani.

Për Planin Strategjik të Kosovës për HIV kanë folur edhe Znj. Doina Bologa  – Kryesuese  e Ekipit për AIDS në KB, znj. Edona Deva  – HIV Menaxher NJKP, projekt i financuar nga GFATM- MSH, derisa prezantimin e planit e ka bërë Izet Sadiku, anëtar i Grupit punues për punimin e tij.

Plani Strategjik i Kosovës për HIV/AIDS 2009 – 2013 synon parandalimin e përhapjes së HIV-it  dhe mbajtjen e ultë të shkallës së prevalencës nën 5% në mesin e grupeve të konsideruara në rrezik nga HIV, si dhe zbutjen e ndikimit të HIV dhe AIDS tek  personat e prekur nga ky virus.