Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ndihmon Hanin e Elezit me qendër të rentgen diagnostikës dhe një autoambulancë të re

 

Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Ferid Agani, tha se ky kontribut modest i Ministrisë për këtë komunë nuk do të jetë i fundit, ndërsa u shpreh se sektori shëndetësor për ditë e më shumë po e dëshmon qartë se ka zhvillime të mbara dhe reforma ka filluar t’i jap rezultatet e saja.

 

Prishtinë, 12 gusht 2013

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MSh-së, Gani Shabani, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma, dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë  dhe të kësaj komune, inauguruan sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Menduh Kaloshi”, në Han të Elezit qendrën rentgen -diagonistike, investim ky i Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me një autoambulancë moderne të cilën MSh-ja ia dhuroi gjithashtu Hanit të Elezit.

 

Këto investime prej 120.000 eurove të MSh-së për shëndetësinë në këtë komunë, u vlerësuan lart dhe u mirëpritën nga autoritetet lokale të komunës së Hanit të Elezit dhe punonjësit e QKMF-së: “Dr. Menduh Kaloshi”.

 

Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Ferid Agani, tha se ky kontribut modest i Ministrisë për këtë komunë nuk do të jetë i fundit, ndërsa u shpreh se sektori shëndetësor për ditë e më shumë po e dëshmon qartë se ka zhvillime të mbara dhe reforma ka filluar t’i jap rezultatet e saja.

 

“Reforma po zbatohet me Ligjin e ri të Shëndetësisë, Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor që gjithashtu ka hyrë në fuqi, Ligjin për Kontrollin e Duhanit që në këta tre muaj të para po jap rezultate të mira, derisa në vjeshtë presim që në Kuvend ta kemi edhe Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili do të mundësojë shndërrimin e fjalëve në vepra dhe realizimin e objektivave dhe strategjive të projektuara. Po ashtu, në rrugë për miratim në Kuvendin e Kosovës janë edhe Ligji për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, Ligji për transplantim të indeve dhe qelizave…, prandaj këto veprime paraqesin një kornizë të qëndrueshme ligjore për zbatimin e reformës në shëndetësi”, tha Ministri Agani.

 

Ai theksoi se objektivi i reformës është ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, dhe jo vetëm rritja e vëllimit të tyre, prandaj, shtoi më tej ai, “Ministria ka për qëllim që të krijojë një lidhje të mirë midis Kujdesit Parësor Shëndetësor si shtyllë e sistemit  me Kujdesin Sekondar dhe Kujdesin Terciar, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohen shërbime cilësore shëndetësore”.

 

Ushtruesi i Sekretari i Përgjithshëm (MSh), Dr. Gani Shabani , tha se MSh-ja do të bëjë edhe investime të tjera në këtë komunë dhe komunat e tjera, ndërsa reforma shëndetësore, theksoi ai, krijon mundësi jo vetëm për përfitime në infrastrukturë, por edhe në ngritjen e resurseve profesionale, me qëllimin që pacientëve t’u krijohen mundësi për shërbime sa më të mira shëndetësore dhe zvogëlim deri në maksimum të pritjeve të tyre për marrjen e shërbimeve.

 

Kryetar i Hanit të Elezit,z. Refki Suma, ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë, për siç u shpreh ai “donacionin më të madh që i ka bërë komunës”, të cilin e vlerësoi të domosdoshëm për sigurimin e shërbimeve më të mira shëndetësore për qytetarët e kësaj komune.