Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë pranon donacion me pajisje mjekësore nga Qeveria Japoneze

Ministria e Shëndetësisë pranon pajisje mjekësore nga Qeveria Japoneze në përkrahje të ngritjes së kapaciteteve spitalore në përballjen me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë sot ka pranuar 20 Pompa shiringash dhe 10 Elektrokardiograma si pjesa e parë e pajisjeve mjekësore japoneze të dhuruara nga Qeveria e Japonisë.
Vlera totale prej 810, 000 Euro synon të mbështesë përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të përmirësuar sistemin e saj shëndetësor dhe kapacitetet mjekësore në luftën kundër COVID-19.

Ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore u mbajt bashkërisht nga Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben VITIA dhe Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Shkëlqesia e Tij Z. Akira MIZUTANI.

Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben VITIA shprehu vlerësimin e tij të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të popullit Japonez dhe Qeverisë së Japonisë për sektorin shëndetësor me theks të veçantë në mbështetjen gjatë pandemisë me masa mbrojtëse, ilaçe, pajisje dhe mbështetjen që pritet në të ardhmen.

Shkëlqesia e tij, Ambasadori z. Akira MIZUTANI deklaroi se është i kënaqur që të dorëzojë grupin e parë të pajisjeve mjekësore japoneze që ishte premtuar në marrëveshjen që ai nënshkroi shtatorin e kaluar. Ai theksoi se Japonia ka qëndruar përkrah Kosovës gjatë gjithë kohës së vështirë të Covid-19 dhe do të qëndrojë e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimin e sektorit të saj shëndetësor.

Përveç dhurimit të sotëm, pajisjet e mbetura të tilla si aparatura me ultratinguj dhe rrezet-X të lëvizshme pritet të arrijnë në Kosovë këtë verë.

Pajisjet do të shpërndahen nga sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e tjera rajonale në të gjithë Kosovën.