Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë rikonfirmon ngritjen e pagave në shëndetësi

Nuk janë paguar ndërkaq kujdestaritë, për shkak se Ministria e Administratës së Shërbimeve Publike është dashur që kujdestarinë e secilit punonjës shëndetësor t’i llogaris në mënyrë manuale dhe kjo ka marrë kohë, por kujdestaritë do të paguhen në mars dhe MSh është e angazhuar që të kapet ritmi i pagesës së kujdestarive prej këtij muaji , ashtu që ato t’u paguhen me kohë punonjësve shëndetësor.

Ministria kërkon mirëkuptim nga punonjësit shëndetësor dhe fokusim në detyrat e punës, sepse është krejtësisht jo logjike të thuhet se nuk ka pasur ngritje pagash, kur në llogaritë e punonjësve shëndetësor këtë muaj, ndryshimet kanë qenë më se evidente dhe nuk është korrekte të thuhet që nuk ka pasur ngritje kur një specialist shembull muajin e kaluar ka marrë rreth 300 euro, ndërsa këtë muaj në konton e tij ka pasur të derdhura prej 600-700 euro si pjesë e ngritjes prej 30 për qind, shtesa 44 euro, plus ndonjë kujdestari e mëhershme.

Pa dashur të merret me interpretimet nga më të ndryshmet të dëgjuara së fundi,  MSh rikujton edhe një herë ato që janë fakte të dokumentuara në çdo kohë, se më 2009 në shëndetësi ka pasur  një ngritje pagash prej 10 për qind, në këtë vit 30 për qind, dhe nëse edhe 44 eurot për të cilat gjatë vitit 2009, MSh nuk u ka mbetur borxh asnjë cent punonjësve shëndetësor (niveli sekondar dhe terciar), konvertohen ne përqindje, atëherë, mesatarja e ngritjes së pagave në shëndetësi është 69 për qind.

Ministria inkurajon sindikalistët që të ndihmojnë njësitë shëndetësore që të vjelin në mënyrë korrekte të ardhurat vetanake, sepse 44 euro i zotuar nga kryeministri do të paguhet nga këto të vjela dhe gjatë këtij viti, të hyrat vetanake në shëndetësi, do të shfrytëzohen 100 për qind nga vetë shëndetësia, sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit me MEF-in.

Prandaj, MSh u bën thirrje punonjësve shëndetësor dhe sindikalistëve që të angazhohen së bashku në inkasimin e këtyre të hyrave, dhe të fokusohen edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët, sepse vetëm me angazhim të përbashkët dhe të sinqertë mund të realizohen objektivat e përbashkatë, në mesin e të cilave edhe përmirësimi i pozitës materiale të punonjësve shëndetësor, që është përkushtim i vazhduar i MSh-së.