Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë vazhdon reformat e nisura

Në përputhje me prioritetet, sfidat dhe objektivat të cilat dalin edhe nga Strategjia Sektoriale Shëndetësore e Kosovës (2010-2014), Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar që të vazhdojë me reformat e nisura në sistemin shëndetësor të vendit.

MSh vlerëson në bazë të indikatorëve të zhvillimit se viti 2008 ishte vit i ndaljes së degradimit në shëndetësi, ndërsa viti 2009 ishte vit i lëvizjes nga ‘status- kvoja’ dhe vit i sukseseve të pamohueshme në këtë sektor, pavarësisht kufizimeve buxhetore dhe problemeve reale të akumuluara me vite.

Shfrytëzimi mbi 95 për qind i buxhetit, zbatimi i ligjeve në fuqi, i rekomandimeve të Auditorit Gjeneral, angazhimi në zbatim të sfidave të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian; koordinimi me donatorë, nënshkrimi i marrëveshjeve ndërshtetërore nga lëmi i shëndetësisë; plotësimi, revidimi dhe harmonizimi i Kornizës ligjore të MSH; përmirësimi evident i furnizimit me barna nga Lista Esenciale dhe material shpenzues, në veçanti me  citostatikë, insulinë, ribavirin, antiretroviralë, interferon kundër sklerozës multiple, etj.;  menaxhimi me sukses i Gripit A H1N1; zhvillimi i shërbimeve të reja në Sektorin Shëndetësor; (adaptimi dhe funksionalizimi i Depos Qendrore të Barnave dhe monitorimi elektronik si dhe pajisja e spitaleve rajonale me Tomografi të Kompjuterizuar dhe Rezonancë Magnetike në QKUK, etj.); licencimi i profesionistëve Shëndetësor dhe i institucioneve shëndetësore private, sipas afateve ligjore; rritja e buxhetit të MSh-së përmes të hyrave vetjake dhe rritja për herë të parë e pagave në shëndetësi në dhjetë vjetshin e fundit në shkallën prej tridhjetë për qind, janë vetëm disa prej rezultateve të shënuara më 2009, të cilat kanë krijuar stabilitet në sistem dhe bazën që me suksese të ecet edhe gjatë vitit 2010.

Në këtë aspekt, sfida dhe prioritete për MSH-në mbesin përmirësimi i gjendjes materiale të punëtorëve shëndetësore, punësimi i specialistëve të papunë; lehtësimet e tjera në importin e barnave dhe rritja e numrit të tyre dhe rritja e transparencës.

Gjithashtu, MSH do të vazhdojë me implementimin e  programit vjetor për edukim të vazhdueshëm , rritja e inspektimeve dhe vazhdimi i angazhimeve për pensionistët, veteranët e UÇK-së si dhe realizimi i projekteve të Fondit Global, sipas dinamikës së paraparë.

Të gjitha këto sfida dhe objektiva, MSh do të angazhohet që t’i realizojë duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe duke menaxhuar para së gjithash drejt me paranë publike.