Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Miratimi i Ligji i Sigurimeve Shëndetësore kërkon një konsensus të gjerë

.

Dr. Ilir Tolaj, Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ka vlerësuar se dhjetë vitet e pasluftës kanë qenë të vështira për sistemin shëndetësor në tërësi. Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka kryer një pjesë të madhe të punës së saj duke e sponzorizuar Projektligjin dhe duke e dërguar të njëjtin për miratim në Qeveri. 
Por, ai ka tërhequr vëmendjen se edhe pas miratimit të këtij ligji në Kuvendin e Kosovës, do të duhen prej 3-5 vjet në implementimin e sigurimeve shëndetësore, duke ditur faktin se zbatimi i skemës sociale kërkon një infrastrukturë të gjerë, një sistem me të dhëna të sakta për gjendjen e popullatës dhe indikatorët e ndryshëm.
“Po besoj që pajtohemi të gjithë se skema e sigurimeve shëndetësore është një ndërmarrje shumë komplekse, jo vetëm e MSH-së dhe është koha që diçka duhet të lëviz në drejtimit të përmirësimit  dhe reformimit të sistemit shëndetësor”, tha Tolaj, duke theksuar se janë dy çështja të cilat i mungojnë më së shumti sistemit: resurset profesionale dhe buxheti.

Shyqeri Hyseni nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka folur për ndikimin buxhetor të Ligjit të sigurimeve shëndetësore “Për një vit, shpenzimet e fondit kapin shumën prej 296 milionë euro”, dhe si të tilla e rëndojnë mjaft buxhetin e Kosovës”, ka thënë ai, duke shprehur në të njëjtën kohë bindjen se me një ligj të tillë, refleksionet pozitive do të vëreheshin tek pacientët dhe qëndrueshmëria financiare e sistemit shëndetësor.

Dr. Ferid Agani, Kryetari i Partisë së Drejtësisë, ka thënë se shkaku kryesor i mungesës së sigurimeve shëndetësore është politika jo-favorizuese ndaj shëndetësisë. “Para themelimit të Fondit duhet të bëhet transformimi i sektorit publik shëndetësor”, tha ai, duke theksuar se miratimi i Ligjit të Sigurimeve dhe aplikimi i skemës së sigurimeve duhet të jetë pjesë e një transformimi të përgjithshëm të sistemit shëndetësor në Kosovë.

Dr. Haxhi Avdyli, drejtor ekzekutiv i QHSH-së, tha se të gjitha Qeveritë e pasluftës kanë tentuar reformimin e sistemit shëndetësor , por pa sukses.  “Qeveria e Kosovës duhet të ketë një vizion të qartë rreth asaj se çfarë sigurimi shëndetësor do të ishte më i përshtatshëm si në aspektin organizativ dhe financiar”, tha Avdyli.
Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë ka vlerësuar se skema e hartuar për sigurimet shëndetësore nga MSH-ja është e mirë, por kërkohet vullneti i të gjithë vendimmarrësve që ajo të kalojë përmes Ligjit, të cilin nëse kanë mundur ta kenë vendet e rajonit, duhet ta ketë edhe Kosova.

Të pranishmit kanë kërkuar ndryshimin e qasjes së Qeverisë ndaj shëndetësisë në përgjithësi, prej të cilës kanë kërkuar që shëndetësinë ta trajtoje si sektor me prioritet.

 Tryeza e organizuar nga KDI dhe QHSH ka pasur për qëllim sensibilizimin e publikut, e me theks të veçantë të institucionet vendimmarrëse për trajtimin me urgjencë të çështjes së sigurimeve shëndetësore si dhe  dhënien e disa rekomandimeve që do të ndihmonin në miratimin e Ligjit të Sigurimit Shëndetësor dhe zbatimit të skemës së sigurimeve shëndetësore në Kosovë.