Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH: AAK nuk po e kupton reformën dhe ndryshimet në shëndetësi

Duke mos dashur që të merremi shumë me deklarimet e AAK-së të cilat nuk paraqesin asgjë të re dhe asgjë  përmbajtësore përveç se një retorike të zakonshme opozitare dhe për të arsyetuar paaftësinë e tyre për alternativa konkrete dhe konkurruese, MSh siguron qytetarët e vendit se është shumë  përkushtuar që ta vazhdoj me seriozitetin më të madh procesin e reformave, pavarësisht konferencave “sa për të thënë diçka” të subjekteve të caktuara politike, që nuk janë në gjendje t’i kuptojnë këto procese e as të jenë pjesë aktive e tyre.

Miratimi i Ligjit për Shëndetësi, Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor dhe fillimi i zbatimit të tyre si dhe përgatitja e Projektligjit për Sigurime Shëndetësore, bashkë me investimet e mëdha kapitale që po bëhen në sistemin shëndetësor, si  në infrastrukturë ashtu edhe në resurset njerëzore, janë vetëm një tregues për orientimin e drejtë të shëndetësisë kosovare.

Në tërë këtë proces të reformave dhe zhvillimeve  pozitive, përkundër mundësive jo adekuate financiare, Ministria e ka në qendër të vëmendjes qytetarin dhe shëndetin e tij, duke qenë e përkushtuar në vazhdimësi për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për ta.

Sa u përket deklarimeve rreth Listës Vitale të barnave shihet qartë që zyrtarët e AAK-së nuk e kanë kuptuar fare formën e re të organizimit dhe furnizimit më barna dhe material shpenzues të institucioneve shëndetësore, e as qëllimin e MSh-së që përmes një kategorizimi të kryer nga ekspertët e lëmisë t’u mundësohet institucioneve shëndetësore furnizim më i qëndrueshëm.

MSh i siguron qytetarët se përderisa të tjerët flasin për sigurime shëndetësore dhe nuk ishin në gjendje t’i bëjnë ato gjatë qeverisjes së tyre, tani Ministri është në fazën finale të dërgimit të Projektligjit për Sigurime Shëndetësore në Qeveri.

Gjatë tërë kësaj kohe të draftimit të Projektligjit të Sigurimeve Shëndetësore,  Ministria ka qenë në konsultim të ngushta me partnerët ndërkombëtar, si Fondi Monetar Ndërkombëtar  dhe Banka Botërore, me qëllim që sigurimet shëndetësore në vend të fillojnë sa më parë.

MSh inkurajon subjektet e ndryshme politike dhe qytetarët që të jenë pjesë aktive e procesit të pandalshëm reformues, rezultatet e së cilit veç janë duke u parë dhe prekur në secilin nivel të sistemit.