Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dënon sulmin ndaj mjekut të QKUK-së

Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës dënojnë ashpër sulmin që ka ndodhur sot në Klinikën Interne të QKUK-së, ku internisti dr. Ibrahim Rrudhani, është sulmuar në orar të punës nga dy individë civilë, të cilët dyshohet se janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Rasti ka ndodhur sot në mëngjes dhe në kohën kur mjeku i sulmuar ka qenë në orar të punës, ndërsa QKUK i ka njoftuar për këtë sulm organet e rendit, të cilave u është kaluar rasti.

Për Ministrinë e Shëndetësisë, janë të papranueshme rastet e kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj personelit të QKUK-së dhe institucioneve të tjera shëndetësore në vend.

MSh kërkon nga organet e rendit që të zbardhin rastin e sotëm dhe rastet e tjera, të sulmeve ndaj mantelbardhëve, duke sjellë para drejtësisë sulmuesit, ndërkohë që nga qytetarët kërkohet që të kenë mirëkuptim dhe respekt për punën dhe dinjitetin e punëtorëve shëndetësor, të cilët brenda kushteve dhe mundësive që kanë po ofrojnë shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.