Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Kjo marrëveshje mbështet projektin i cili mundëson që ofruesit e kujdesit primar shëndetësor në Kosovë të jenë të trajnuar dhe të pajisur të kryejnë shërbime cilësore në fushat klinike prioritare, kurse granti mbështetës i Qeverisë zvicerane për këtë projekt ka vlerën prej 7 milionë frangave për periudhën dhjetor 2015- nëntor 2019

Prishtinë, 28maj 2015

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe Drejtori i i Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Markus Baechler nënshkruan sot Marrëveshjen e bashkëpunimit në emër të qeverive respektive të Kosovës dhe Zvicrës për mbështetjen e Projektit: Kujdesi shëndetësor i përballueshëm dhe cilësor për Kosovën.

Kjo marrëveshje mbështet projektin i cili mundëson që ofruesit e kujdesit primar shëndetësor në Kosovë të jenë të trajnuar dhe të pajisur të kryejnë shërbime cilësore në fushat klinike prioritare,përmes mbështetjes së programeve të në faza të ndryshme.

Ministri Rrahmani falënderoi Qeverinë e Zvicrës për mbështetjen e këtij projekti i cili përmes mbështetjes financiare do t’i mundësojë Kosovës fuqizimin e kapaciteteve në Kujdesin Primar Shëndetësor.

“Projekti ka edhe komponentin e trajnimit të stafit mjekësor dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe do t’i kushtoj kujdes edhe edukimit shëndetësor si një segment i rëndësishëm dhe vjen në kohën kur Programi i Mjekësisë Familjare në Kosovë ka marrë ditë më parë edhe akreditimin ndërkombëtar. Kjo do të jetë një bazë e mirë për fuqizimin e mëtejmë të KPSh-së”, tha Ministri Rrahmani.

Markus Baechler, drejtor i SDC tha se është inder për Qeverinë e vendit të tij që të ndihmojë mbështetje për fuqizimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Kosovë përmes këtij projekti, i cili synon që të përmirësojë përfshirjën në marrjen e shërbimeve dhe komunitetet më vulnerabile si romët, egjiptianët dhe ashkalinjtë. Ne, tha ai, do ta vazhdojmë ta mbështesim Ministrinë e Shëndetësisë edhe në fusha të tjera me qëllim  të ofrimit me sukses të shërbimeve shëndetësore.

Projekti që do të mbështetet nga SDC ka tre komponente dhe synon arritjen e tre rezultateve që: Tre rezultatet e mëposhtme të cilat priten janë: Ofruesit e kujdesit primar shëndetësor të jenë më mirë të trajnuar dhe të pajisur të kryejnë shërbime cilësore në fushat klinike prioritare; që menaxherët në nivel komunal dhe të institucioneve janë fuqizuar të kryejnë në mënyre efikase dhe efektive funksionet e planifikimit, buxhetimit, menaxhimit dhe mbikëqyrjes mbështetëse dhe që ndërgjegjësimi shëndetësor i popullsisë të rritet që nevojat e pacientëve të jenë sa më mirë të njohura dhe merren në konsideratë nga ofruesit e shërbimeve përmes proceseve të zgjeruara të reagimit/bashkëveprimit me autoritetet shëndetësore.

Projekti është paraparë të fillojë me një fazë fillestare prej nëntë muajsh, duke mbuluar periudhën mars-nëntor 2015, ndërsa synon të përfundojë në nëntor 2019.

Granti mbështetës i Qeverisë zvicerane për këtë projekt ka vlerën prej 7 milionë frangave zvicerane për periudhën dhjetor 2015- nëntor 2019.