Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” bisedojnë për projekte bashkëpunim në shëndetësi

Prishtinë, 19 prill 2016 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot në takim përfaqësuesin e “Dartmouth Medical School” të ShBA-së, Dr. George Little  dhe të Fondacionit humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”,  znj. Mrika Aliu.

Në takim u bisedua për realizimin e projektit të ngritjes së cilësisë në shërbimet e kujdesit shëndetësor të nënës dhe fëmijës dhe implementimin e projektit për rregullimin e Sisitemit të Referimit Neonata, të iniciuar nga Klinika e Neonatologjisë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Ministri ka falënderuar Fondacionin “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, për ndihmën që po ofron në këtë fushë, duke shprehur interesimin për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve në kujdesin ndaj nënës dhe fëmijës.

Përfaqësuesit e “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”dhe të “Dartmouth Medical School”, thanë se interesimi dhe gatishmëria e tyre është që të ndihmojnë shëndetësinë kosovare, jo vetëm me realizimin e projektit të filluar për transportin e foshnjave, por çdo herë ku MSh-ja e sheh të nevojshme ndihmën e tyre.