Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH dhe Ambasada italiane diskutojnë për implementimin e Projektit italian për mbështetje shëndetësisë kosovare

 

Prishtinë, 10 prill 2015

Me qëllim të realizimit të projektit mbështetës të Qeverisë së Italisë për shëndetësinë kosovare, sot në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt mbledhja e Komitetit Drejtues të projektit: “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”.

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani që e kryesoi këtë takim tha se që nga fillimi i marrjes së mandatit është përpjekur të gjejë rrugën apo formën adekuate për të vënë në funksion Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe të Kardiologjisë Invazive.

“Kjo përpjekje e jona ka qenë me fat që Qeveria e Italisë ka shprehur vullnetin për të ndihmuar këtë sektor të rëndësishëm në shëndetësinë kosovare”, tha ai.

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Andrea Ferrarese, u zotua se vendi i tij do të jetë në mbështetje të vazhdueshme për ndihmë Kosovës në çdo sektor, në veçanti në atë të shëndetësisë, ku edhe është duke e ndihmuar me një projekt mbështetës për funksionalizimin e Klinikës së Kardiokirurgjisë që nga viti 2013.

Objektivi kryesor i projektit është mbështetja për themelimin e Departamentit të Kardiokirurgjisë dhe objekteve për diagnostikim të hershëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërsa objektivat specifike të projektit janë organizimi i një rrjeti për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të lindura dhe të fituara të shëndetit në grup-moshën pediatrie, themelimi i një njësie të kardiokirurgjisë për të rriturit të cilat përballen me ndërhyrje të hapur të zemrës si dhe fillimi i një njësie për kardiokirurgji pediatrike për të kryer ndërhyrje të hapura të zemrës.

Ndërkaq Komiteti Drejtues dhe Grupi për përkujdesje, kanë për qëllim mbikëqyrjen respektivisht realizimin e këtyre objektivave të projektit.