Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH dhe Fakulteti i Mjekësisë angazhohen për lidership të përbashkët në reformën shëndetësore

MSH dhe Fakulteti i Mjekësisë angazhohen për lidership të përbashkët në reformën shëndetësore

Prishtinë, 17 janar 2014

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, i shoqëruar nga zëvendësministrat Shemsi Veseli e Kadir Hyseini u pritën sot në një takim nga Ushtruesi i Detyrës së Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë Salih Ahmeti dhe prodekanët Sabit Bajçinoci dhe Halil Ahmetaj.

Në këtë takim u bisedua për lidershipin e përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fakultetit të Mjekësisë në procesin e reformave në shëndetësi dhe aspekte të avancimit të bashkëpunimit midis këtyre dy institucioneve.

Ministri Agani ka ofruar gatishmërinë e plotë të Ministrisë për të mbështetur Fakultetin e Mjekësisë në avancimin e punës profesionale në këtë institucion të arsimit të lartë, dhe ka propozuar krijimin e një trupi të përbashkët midis dy institucioneve, i cili do të punojë për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe elaborimin e zgjidhjeve për çështje të caktuara në interes të përbashkët.

Ky propozim është mirëpritur nga ana e drejtuesve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë premtuar angazhim në procesin e reformave në shëndetësi dhe në gjetjen e zgjidhjeve kreative për çështjet të cilat kanë të bëjnë me procesin akademik dhe atë të shërbimeve shëndetësore.

Në takim, Ministri Agani dhe drejtuesit e FM-së kanë diskutuar edhe për elaborimin e idesë për krijimin në të ardhmen të Universitetit të Shkencave të Mjekësisë në Kosovë.