Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe Klinika gjermane Kerckhoff e Hessenit diskutojnë për konkretizimin e bashkëpunimit në shëndetësi

Prishtinë, 9 tetor 2015

 

Zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Izet Sadiku priti sot në  takim një delegacion të Klinikës Kerckhoff të Landit të Hessenit të Republikës Federale të Gjermanisë, të shoqëruar nga kryeshefi i Kirurgjisë Torakale-Onkologjike në këtë klinikë, prof. dr. Safet Beqiri.

Në këtë takim, ishte edhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Salih Ahmeti.

Në takim është biseduar për bashkëpunimin konkret midis Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht institucioneve shëndetësore të Kosovës me këtë klinikë të njohur gjermane, bazuar edhe në Letrën e qëllimit të bashkëpunimit, që më parë ishte nënshkruat midis MSH-QKUK-së me klinikën Kerckhoff.

Zëvendësministri Sadiku ka shprehur gatishmërinë  e MSh-së që bashkëpunimi të konkretizohet me marrëveshje konkrete që do të përcaktojë fushat ne prioritet për bashkëpunim si edukimi i vazhduar profesional, shkollimi specialistik, fuqizimi i shërbimeve shëndetësore, etj., ndërkohë që dr. Beqiri ka theksuar se fushat në të cilat klinika mund të hap bashkëpunimin konkret me MSH-në dhe SHSKUK-në janë Kardiologjia, Kardiokirurgjia, Reumatologjia, Kirurgjia Torakale dhe Kirurgjia Vaskulare.

Dekani i FM-së, Salih Ahmeti ndërkaq ka shprehur gatishmërinë nevojën e shkëmbimit të kuadrove dhe mundësisë që programe të ndryshme për mjekët, infermierët dhe studentët e mjekësisë nga FM të zhvillohen në kuadër të bashkëpunimit të ardhëm në klinikën Kerckhoof.