Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe Koalicioni i Strehimoreve të Kosovës diskutojnë për zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit

Prishtinë, 09.12.2014

Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës bëri sot prezantimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Koalicionin e Strehimoreve të Kosovës për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale;  Udhërrëfyesit mbi dhunën e bazuar në gjini për ofruesit e shërbimeve shëndetësore si dhe zbatimin e rekomandimeve të MSH-së për marrjen e materialit të inkontinencës për personat me aftësi të kufizuara (PAK) të siguruar nga kjo ministri dhe që ofrohen përmes  Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Ministri në detyrë i  Shëndetësisë Ferid Agani tha se një marrëveshje e tillë është bërë me qëllim të lehtësimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të punëve për institucionet që janë të ndërlidhura direkt në raste të dhunës në familje, dhunës së fëmijëve dhe dhunës seksuale.

“Shpresoj dhe besoj se kjo punëtori do të jetë e dobishme për koordinimin e punëve dhe eliminimin e pengesave që janë hasur deri më tani për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për  banorët e strehimoreve të Kosovës”, tha Agani.

Në theks të veçantë, ai e vuri përkushtimin e vazhdueshëm të MSh-së në përpjekje për t’i dalë në ndihmë kësaj kategorie, duke ofruar shërbime shëndetësore dhe furnizim me barna të listës esenciale falas.

“Dokumentet e miratuara si Marrëveshja e Bashkëpunimit me Koalicionin e Strehimoreve të Kosovës, ju ka mundësuar palëve që këto çështje t’i ngritin në sistem organizativ funksional në shërbim të banorëve të strehimoreve, në mënyrë që ata ta ndjejnë përkujdesjen që duhet të kenë”,tha  Agani.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë dr. Gani Shabani u zotua se “Marrëveshja dhe dokumentet që janë miratuar deri më tani lidhur me banorët që janë të strehuar nëpër strehimoret në të gjitha qytetet e Kosovës për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre, do t’i shtyjmë përpara me të gjitha kapacitete që kemi në dispozicion në MSh, pra do të jemi zbatues të marrëveshjes së nënshkruar dhe do t’i kryejmë detyrat sipas marrëveshjes”,  tha Sekretari Shabani.

Udhëheqësve të QKMF-ve të stafit mjekësor psikiatrik  si dhe udhëheqësve të Strehimoreve  për trajtimin e  rasteve të dhunës ne familje dhe trafikimit me qenie njerëzore në këtë punëtori, ju prezantua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis MSh dhe KSK nga Sanie Kiçmari, Udhëheqëse e Divizionit për të Drejta e Qytetarëve në Kujdesin në MSh, ndërsa Nazmije Kajtazi  zyrtare për barazi gjinore dhe dhunë ne familje në MSh, foli për zbatimin e Udhërrëfyesit mbi dhunën e bazuar ne gjini për ofruesit e shërbimeve shëndetësore , proceduar  dhe standardet e veprimit si dhe Udhëzimet përkatëse.

Ndërkaq për zbatimin e rekomandimeve të MSh-së për marrjen e materialit të inkontinences për PAK  nga QKMF ka folur zyrtari për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Musë Shigjeqi.

Ndryshe, punëtoria u organizua nga Divizioni për të Drejtat e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë  me përkrahjen e  Organizatës Botërore të Shëndetësisë.