Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH dhe KSK bisedojnë për vazhdimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit

 Prishtinë, 22 qershor 2016.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Mevludin Krasniqi me bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të MSh-së, ka pritur sot në takim Koalicionin e Strehimoreve të Kosovës KSK.
Në takim është diskutuar për mundësinë e vazhdimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar mes palëve para tri viteve.
Zëvendësministri Krasniqi ka shprehur përkrahjen e MSh-së në këtë aspekt, duke potencuar edhe mundësin e plotësim-ndryshimit të marrëveshjes në bazë të nevojave që janë paraqitur gjatë implementimit të saj deri më tani.
Ai ka thënë “se interesi i MSh-së është që të vazhdojë bashkëpunimin me koalicionin, me qëllim që kjo kategori të përfitojë prej saj, që të kenë shërbime shëndetësore të shpejta, konfidenciale si dhe sa më cilësore”.
Përfaqësueset e KSK-ës, vlerësuan gatishmërinë dhe përkushtimin e MSh-së, që përmes këtij bashkëpunimi kanë ndihmuar qytetarët të cilët përkrahen nga Koalicioni i Strehimoreve të Kosovës.
Ato, kanë theksuar nevojën e vazhdimit të marrëveshjes me qëllim të mbështetjes të mëtutjeshme në aspektet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për të strehuarit e këtyre qendrave.
MSh dhe KSK, në këtë takim u pajtuan, që të fillohet sa më shpejtë me hapat e nevojshëm për plotësim-ndryshim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit.
Ndryshe Marrëveshja ka pas për qëllim bashkëpunimin për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për gratë dhe fëmijët, viktima të dhunës në familje, të trafikimit me njerëz, dhunës seksuale , për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe çfarëdo forme tjetër të dhunës.

Sipas kësaj marrëveshjeje, MSh në kuadër të bashkëpunimit, ka ofruar KSK-së, në këtë rast strehimoreve që janë anëtarë të këtij koalicioni, mbështetje në ofrimin falas të shërbimeve shëndetësore dhe trajtimin psiko-social falas për të gjitha kategoritë e lartpërmendura.