Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe OBSh po mbajnë punëtori për revidimin e Listës së Barnave Esenciale

Kjo punëtori në të cilin po marrin pjesë anëtarët e Komitetit teknik për revidimin e LBE, po trajton tema me interes për procesin e revidimit të Listës së Barnave Esenciale në Kosovë, me praninë edhe të ekspërtëve ndërkombëtar si Nikolla Magrini,  Guillaume Dedet dhe Lorenzo Moja  nga Zyra Qendrore e OBSh-së për Evropë
Prishtinë, 10 tetor 2018
Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore (OBSh) në Prishtinë, po mbahet punëtoria tre ditore e Komitetit teknik për revidimin e Listës së Barnave Esenciale.
Kjo punëtori në të cilin po marrin pjesë anëtarët e Komitetit teknik, po trajton tema me interes për procesin e revidimit të Listës së Barnave Esenciale në Kosovë me praninë edhe të ekspertëve ndërkombëtarë si Nikolla Magrini, Guillaume Dedet dhe Lorenzo Moja nga Zyra Qendrore e OBSh-së për Evropë.
Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Dr. Naim Bardiqi, e ka vlerësuar si shumë të dobishme punëtorinë për implementimin e praktikave më të mira në proces të hartimit të Listës Esenciale të Barnave, dhe i ka inkurajaur anëtarët e Komitetit teknik që përmes pjesëmarrjes aktive të trajtojnë të gjitha ato çështje të cilat kanë rëndësi në krijimin e një liste sa më adekuate të barnave esenciale.
Udhëheqësja e Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, dr. Ardita Tahirukaj, ka mbështetur procesin e revidimit të Listës së Barnave Esenciale, ndërsa ka theksuar përkushtimin e Zyrës së OBSh-së që përmes ekspertizës profesionale në këtë proces të mbështes Komiteti teknik në prpcesin e revidimit të LBE.
Në punëtorinë e cila po mbahet në Prishtinë dhe që për objektiv kryesor ka vendosjen e prioriteteve në mënyrë të drejtë me rastin e hartimit të LBE, po trajtohen edhe tema që lidhen me: vlerësimin e kostos, ndikimin e buxhetit, kosto-efektiviteti; specifikat e vlerësimit të terapive; vlerësimi i efikasitetit dhe efektivitetit; si të sigurohet që një komitet i LBE të përmbushë detyrat e veta; lidhjet midis vendimeve të komitetit dhe politikave të çmimeve e prokurimit; përtej barnave: si të vlerësohen pajisjet mjekësore dhe diagnostikimi?, etj.
Në fillim të punëtorisë, Komiteti ka shqyrtuar kërkesat e subjekteve të ndryshme farmaceutike, të cilat kanë kërkuar shtyrjen e afatit të paraparë për 15 tetor 2018 për aplikim me propozime për Listën e Barnave Esenciale, dhe afati i ri për aplikime u vendos që të jetë 31 tetori 2018.