Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe Oda Ekonomike Zvicër –Kosovë bashkëpunojnë për projekte të aftësimit profesional të infermierëve kosovarë

Prishtinë, 1 shtator 2016 

Zëvendësministri i Shëndetësisë Mevludin Krasniqi, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë priti sot në takim një delegacion të Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, të kryesuar nga z. Stefan Sarkany, me të cilët është biseduar për bashkëpunimin në aftësimin profesional të kuadrit infermieror të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës me Shkollën e Lartë të Shëndetësisë në Gjeneve të Zvicrës.

Gjatë takimit, Zëvendësministri e njoftoi delegacionin zviceran me nevojat e kuadrit infermieror në Kosovë, duke vlerësuar lart gatishmërinë e Odës Ekonomike të Zvicrës për bashkëpunim në zhvillimin e projekteve të edukimit profesional. Ai theksoi se pa edukim nuk ka as zhvillim, kurse MSh dhe institucionet shëndetësore do të jenë të gatshme të bashkëpunojnë me qëllim të realizimit të projekteve që do të bazohen edhe në ekspertizën profesionale zvicerane.

Sarkany tha se është në njohuri që kuadri i infermierëve në Kosovë ka nevojë për aftësim profesional, ndërsa me qëllim të vlerësimit real të nevojave ka sjellë në vizitë ekspertin Andre Lamberlin, i cili pas vizitave dhe kontakteve të drejtpërdrejta me kuadrin, do të dizajnojnë projektin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shkollës së Lartë të Shëndetësisë në Gjeneve që merret ekskluzivisht me trajnimin dhe aftësimin profesional të infermierëve.

Pas takimit në Ministri të Shëndetësisë, delegacioni nga Zvicra, përfshirë në përbërje të tij edhe zyrtarë nga Konzullata e Republikës së Kosovës në Gjenevë kanë vizituar QKUK-në, përkatësisht disa klinika të saj, ku me drejtues dhe kuadër të infermierisë kanë diskutuar për nevojat e aftësimit profesional të këtij komuniteti mjekësor.

Objektivat e vizitës së këtij delegacioni ndërlidhen me zhvillimin e projekteve në zhvillimin e aftësive në ambientin e emergjencës; aftësimin profesional të infermierëve dhe i udhëheqësve të infermierisë si dhe zhvillimi i aftësive profesionale në sektorin e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të menaxhimit të procedurave administrative.