Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH dhe UNFPA diskutojnë për bashkëpunimin në shëndetësi

Prishtinë, 24 tetor 2016 

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot në takim znj. Doina Bologa, përfaqësuese e UNFPA-së për Bosnjën dhe Hercegovinën, e gjithashtu edhe drejtoreshë për Serbi, ish -Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe për Kosovë, të shoqëruar nga drejtuesja e kësaj zyre në Prishtinë, dr. Visare Mujko-Nimani, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin  e MSh-së me këtë agjencion të Kombeve të Bashkuara në fushën e shëndetësisë.

Ministri Rrahmani falënderoi znj. Bologa për kontributin që UNFPA ka dhënë për Kosovën në fushën e shëndetit riprodhues, përkrahjen në procesin e  hartimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike si dhe në zbatimin e pilot projektit për skriningut të kancerit cervikal që po zhvillohet në komunën e Prishtinës.

Nga ana e saj, znj. Bologa, e cila ka shërbyer në Kosovë prej 2008-2012 në kuadër të agjensioneve të KB, tha se kjo organizatë është në përmbyllje të projektit të përbashkët bashkë me OBSh-në dhe UNICEF-it në fushën e shëndetit riprodhues dhe pas evaluimit që do t’i bëhet këtij projekti, do të vazhdohet me bashkëpunim, që më shumë do të jetë i fokusuar në fushën e përkrahjes teknike për ngritjen e kapaciteteve vendore dhe të avokimit.

Ajo shprehu kënaqësinë që përkundër zvogëlimi të fondeve të organizatave të KB në shëndetësinë e Kosovës, impakti është rritur në fushat ku është kontribuar dhe kjo tha ajo, falë edhe angazhimit të Ministrisë.

Ministri Rrahmani dhe znj. Bologa shprehën gatishmërinë që midis MSh-së dhe UNFPA-së  edhe në të ardhmen, të ketë një bashkëpunim reciprok, në interes të përmirësimit të indikatorëve shëndetësor në Kosovë.