Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe UNICEF-i diskutojnë bashkëpunimin strategjik 2011-2015

Ky takim pune kishte për qëllim që të qartësojë veprimet konkrete, në të cilat UNICEF-i gjatë periudhës në vazhdim, do t’i asistojë Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me partnerët e tjerë strategjik, për të përkrahur qasjen e njëjtë për kujdesin shëndetësor për të gjitha komunitetet në Kosovë, dhe për të fuqizuar përkujdesjen, sidomos për  grupet që konsiderohen si më të varfra dhe më të margjinalizuara.

Luciano Calestini, zëvendës-shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, ka shpalosur planin e veprimit të UNICEF-it në Kosovë 2011-2015, duke fokusuar dy fusha kryesore në të cilat do të ofrohet asistenca si: Shëndeti i Nënës dhe Fëmijës dhe Shëndeti Publik. Ai ka theksuar se rëndësi e veçantë do t’u kushtohet edhe aktiviteteve për ngritjen e imunizimit te komunitetet që janë më të marxhinalizuara, ndërkohë që ka thënë se duhet të bëhet e qartë në çdo plan veprimi domosdoja e zbatimit të Ligjit për Duhanin.

Dr. Curr Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSh, ka thënë se MSH, në partneritet të ngushtë me partnerët do të bëjë veprimet e nevojshme për zbatimin e Strategjisë Sektoriale Shëndetësore (2010-2015), ndërsa e ka vlerësuar si inkurajues faktin që nivelet e larta qeveritare kanë dhënë zotimin se përfundimisht shëndetësia do të trajtohet si prioritet dhe do t’i jepet kujdesi i merituar edhe në aspektin e financimit të saj.

Pas punës edhe në grupe, janë dhënë edhe rekomandimet për zbatimin e partneritetet në bashkëpunimin strategjik MSH-UNICEF.