Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH dhe UNICEF-i po mbajnë Konferencën për shërbimet e vizitave mjekësore shtëpiake

Prishtinë, 24 mars 2016

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i sot në Gjilan është duke u mbajtur Konferenca: “Përmirësimi i Mirëqenies së Nënës dhe Fëmijëve në Kosovë përmes Shërbimeve të Vizitave Shtëpiake”, si një mënyrë për ta përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e nënës dhe fëmijës. Konferenca që po mbahet në hapësirat e ndërtesës së Kuvendit Komunal ka për qëllim që ta bëjë vlerësimin e rezultateve kyçe të arritura, t’i identifikojë praktikat më të mira dhe t’i gjenerojë mësimet e marra nga testimi i iniciativës së vizitave shtëpiake në Kosovë. Për më shumë, konferenca do të shërbejë si një mundësi për t’i hulumtuar hapat e ardhshëm, opsionet, qasjet dhe skenarët e zgjerimit të modelit në mbarë Kosovën.

Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Lajla Omar Gad, tha se përmes kësaj konference adresohen çështjen e vizitave shtëpiake si mënyrë për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Mjekësia familjare, tha ajo, është shumë e rëndësishme, në veçanti ofrimi i shërbimeve përmes vizitave shëndetësore. Ky projekt apo “model kosovar i vizitave shtëpiake”, tha ajo, ka qenë një projekt afatgjatë që ka përfshirë bashkëpunimin me niveli qendror dhe atë lokal për të ofruar një model të vizitave shtëpiake, përmes së cilave ofrohen shërbime të mira, qasje për shërbime për nënat e fëmijët, mësohen cilat janë sfidat. “Ky model mbështet forcimin e informimit shëndetësor, evoluimin e Kornizës aktuale të shërbimeve dhe i kontribuon informimit më të mirë shëndetësor”, tha znj. Gad. Përmes forcimit të vizitave shtëpiake, theksoi ajo, ne kontribuojmë që sistemi shëndetësor të jetë më efektiv, sepse investimi në Kujdesin Parësor Shëndetësor është kost-efektiv.

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Imet Rrahmani, tha se duke njohur rëndësinë e shëndetit të nënës dhe fëmijës, MSh ka kthyer vëmendjen kah kujdesi parësor shëndetësor. “Ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore është një nga prioritetet e MSh-së dhe në këtë aspekt jemi duke zhvilluar projekte konkrete me UNICEF-in, OBSh-në, SDC, etj”. Ne do ta përkrahim edhe këtë sferë të shërbimeve shëndetësore, tha Ministri, duke ofruar shërbime shëndetësore sa më afër familjes përmes vizitave shtëpiake, duke ofruar mundësi edhe për edukim dhe promovim shëndetësor.

Në cilësinë e nikoqirit, Kryetari i Gjilanit, z. Lutfi Haziri tha se shëndetësia është një nga shtyllat prioritare të Programit të Qeverisë së Kosovës. “Konferenca sot në Gjilan, ndan një përvojë të veçantë të modelit të Kosovës për ofrimin e shërbimeve shtëpiake më afër qytetarëve, që do të ndikojë qe të adaptojmë dhe implementojmë këtë politikë të shërbimeve më të mira”, tha ai. “Në Gjilan, ne jemi përgjegjës për formimin e shërbimeve shëndetësore dhe ne kemi rritur kapacitetet dhe jemi duke ofruar shërbime edhe në pjesët më rurale të komunës sonë, ndërkohë që një model tjetër që jemi duke e zhvilluar është modeli i vizitave sistematike të nxënësve të shkollave që na mundëson të krijojmë identitet shëndetësor për këtë kategori dhe shërbim të kategorizuar mjekësor duke krijuar lidhje të mirë midis mjekëve dhe pacientëve”, tha ai.

Në këtë konferencë ekspertë ndërkombëtare si Bettina Schëethelm nga Zyra Rajonale e UNICEF CEECIS kanë treguar për prioritetet dhe perspektivat rajonale për përmirësim të rezultateve të nënës dhe fëmijës përmes shërbimeve të vizitave shtëpiake; një hartë e rrugëtimit për Vizitat Shtëpiake në Kosovë/ Rezultatet e arritura, pengesat dhe kufizimet/ Mësimet e nxjerra deri më tani   është prezantuar nga Dr. Genc Ymerhalili, udhëheqës i Kujdesit Parësor Shëndetësor (MSh) dhe nga dr. Agron Gashi nga UNICEF-i, derisa janë prezantuar edhe rezultatet nga disa komuna si Prizreni, Gjakova, Fushë Kosova e Dragashi.

Një përmbledhje të politikave për shëndetësinë për mbështetjen e reformave politike-Rruga përpara e ka prezantuar shefi i OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla, etj.

Folësit në këtë konferencë, gjithashtu kanë adresuar çështjet që lidhen me sigurimin e cilësisë së vizitave shtëpiake, identifikimin e treguesve të përshtatshëm për ta monitoruar dhe vlerësuar ofrimin e shërbimeve në nivel të komunitetit, duke e integruar dhe treguar vlerën e monitorimit në kohë reale për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave, si dhe adresimin e sfidave të financimit dhe burimeve njerëzore.

Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e UNICEF-it e ka zbatuar qasjen e decentralizuar në kujdesin shëndetësor parësor në pesë (5) komuna (Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Dragash dhe Fushë Kosovë), si përpjekje për t’i adresuar pabarazitë, për ta ngritur efikasitetin, cilësinë dhe sigurimin e shërbimeve shëndetësore për nënën dhe fëmijën, për mbështetjen e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve të vegjël dhe familjeve të tyre, veçanërisht për ata që janë në mesin e më të cenuarve nga pikëpamja e bashkëpunimit multi-sektorial. Kjo ka rezultuar me një zbatim të shërbimeve të vizitave shtëpiake në 5 komuna dhe në sistemet e fuqizuara të mjekësisë familjare. Vizitat shtëpiake i kanë sjellë shërbimet nëpër shtëpi, në vend që të pritet prej familjeve që t’i kërkojnë shërbimet në kuadër të komunitetit.

Gjatë vizitave shtëpiake, familjet marrin këshillime për një sërë çështjesh përfshirë imunizimin, gjidhënien, arsimimin e familjes dhe stimulimin e hershëm, parandalimin e lëndimeve, prindërinë e përgjegjshme dhe të ndjeshme si dhe shëndetin amënor. Programet e vizitave shtëpiake i mbështesin prindërit për të siguruar për fëmijët e tyre fillimin më të mirë të jetës, por po ashtu besohet se kanë ndikim pozitiv në performancën e shkollës dhe produktivitetin ekonomik, veçanërisht tek popullata më e cenuar gjatë viteve të moshës madhore.

Gjatë vitit 2015, 200 infermiere në mbarë Kosovën e kanë kaluar një trajnim bazik për vizitat shtëpiake dhe 64 infermiere janë përfshirë në mënyrë direkte në zbatimin e shërbimeve të vizitave shtëpiake në 5 komuna, me rreth 6,000 vizita shtëpiake që janë zhvilluar në vitin 2015. Si rezultat i vizitave shtëpiake, nënat, prindërit dhe kujdestarët kanë mësuar për rëndësinë e të ushqyerit me gji, të ushqyerit korrekt, rëndësinë e imunizimit, përmirësimin e praktikave të kujdesit ndaj fëmijës. Dëshmitë ekzistuese tregojnë se vizitat shtëpiake kanë kontribuar në mënyrë efektive në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve në rrezik dhe të familjeve më të cenuara, dhe po ashtu kanë kontribuar në ngritjen e cilësisë dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore për nënën dhe fëmijën.

Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe partnerët, do ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre për përmirësimin e mirëqenies së nënës dhe fëmijës duke e rritur numrin e vizituesve shëndetësor me qëllim të identifikimit, takimit dhe shërbimit të familjeve me nevoja shtesë, të ofrojnë informacione vendimtare dhe t’i lidhin ata me shërbime të tjera sociale sipas nevojës.