Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh diskuton me spitalet dhe operatorët për përmirësimin e furnizimit me barna

Prishtinë, 24 mars 2014

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani kryesoi sot një takim të përbashkët midis drejtuesve të QKUK-së,  spitaleve të Kosovës me shoqatën e Distributorëve farmaceutikë dhe me operatorët nga fusha e  farmacisë  në Kosovë.

Në këtë takim janë adresuar disa paqartësi që janë shfaqur nga operatorët ekonomikë, pas decentralizimit të buxhetit për barna dhe material shpenzues nga Ministria e Shëndetësisë në buxhetin e spitaleve.

Ministri Agani ka kërkuar nga të gjitha palët e përfshira në procesin e furnizimit me barna dhe material shpenzues (Agjencioni i Financimit të Shëndetësisë, spitalet dhe operatorët ekonomikë) që ta rrisin disiplinën në përmbushjen e përgjegjësive, në mënyrë që të përmirësohet procesi i planifikimeve, porosive, blerjeve, të ngritet shkalla e furnizimeve, që ato të jenë të qëndrueshme, në interes të shëndetit dhe mirëqenies së pacientëve.