Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh: Emërimi i UD të Kryeshefit të AKPM-së, në pajtueshmëri të plotë me ligjin

Ministria e Shëndetësisë qartëson se vendimi i Ministrit Ferid Agani, për emërimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit të AKMP-së është në pajtueshmëri të plotë me kompetencat e tija ligjore, i bazuar  në Ligjin për Procedurën Administrative Nr. 02/L-28, neni 25 , paragrafi 25.1 dhe 25.2.

Ministria e Shëndetësisë konsideron se deklarimet në media të Kryetarit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës,  z. Bajram Ajeti për rastin e emërimit të Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Agjensionit Kosovar për Produkte Mjekësore (AKPM) janë në kundërshtim me faktet ligjore.

Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, Ministria e Shëndetësisë qartëson se vendimi i Ministrit Ferid Agani, për emërimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit të AKMP-së, është në pajtueshmëri të plotë me kompetencat e tija ligjore, i bazuar edhe në Ligjin për Procedurën Administrative Nr. 02/L-28, neni 25 , paragrafi 25.1 dhe 25.2.

“25.1. Në rastet e mungesës ose paaftësisë për të ushtruar detyrat për shkak të pamundësisë së përkohshme fizike apo konfliktit të interesave, që prekin organet individuale të administratës publike ose çdo nëpunës tjetër publik, detyrat e këtij të fundit
ushtrohen nga organi ose nëpunësi zëvendësues i parashikuar në ligj.

25.2. Në qoftë se ligji nuk shprehet për një zëvendësues, atëherë zëvendësimi bëhet nga nëpunësi më i lartë i organit të administratës publike, që në hierarkinë e organit vjen menjëherë pas organit individual ose nëpunësit të zëvendësuar”.

Me rastin e këtij emërimi, është bërë zëvendësimi i organit individual administrativ (drejtori-Kryeshefi Ekzekutiv) me organin e dytë në hierarkinë e AKPM-së, sipas nenit 5 të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, me anëtarin e Bordit të Ankesave të AKPM-së, të emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë shpreh bindjen se me rastin e këtij emërimi është bërë zgjedhja më e mirë  e mundshme brenda dispozitave ligjore në fuqi, duke eliminuar vakumin në funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm dhe duke siguruar vazhdimësinë e punës të udhëhequr nga profesionist kompetent dhe me përvojë të duhur institucionale e profesionale në sektorin farmaceutik të Kosovës.