Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh finalizoi Konkursin e ri për specializime në mjekësi

Me miratimin e UA 11/2010, Ministria e Shëndetësisë finalizoi edhe Konkursin për ndarjen e specializimeve të reja në bazë të nevojave të institucioneve shëndetësore, bazuar në këtë udhëzim dhe në Ligjin për Shëndetësi.

Kështu, në MSh është finalizuar edhe ky konkurs, I cili do të publikohet në mediat e shkruara ditën e parë të punës së institucioneve pas festës së Vitit të Ri.

Në këtë konkurs, MSh ka lejuar tri forma të specializimit: Specializimin me financim nga Ministria e Shëndetësisë, specializimin me vetëfinancim nga specializanti dhe Specializimin e lëmisë nga Institucioni Privat Spitalor i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë me këtë konkurs do të lejojë 234 specializime të reja, prej të cilave 110  me financim nga MSh, 108 me vetëfinancim dhe 16 me financim nga Institucioni Privat Spitalor i licencuar. Të gjitha këto për 42 lëmi shëndetësore nga Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia dhe Farmacia.

Kriteret e aplikimit dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim do të publikohen në mediat e shkruara, ndërsa vlerësimi i kandidatëve do të bëhet në bazë të kritereve objektive që janë: Testi kualifikues, nota mesatare dhe përvoja e punës.

Përzgjedhja e fituesve do të bëhet në atë mënyrë që kandidatët do të rangohen në listë sipas pikëve të arritura nga testimi dhe vlerësimi objektiv, kurse përzgjedhja e lëmisë do të bëhet me vullnetin e lirë të kandidatëve, duke filluar nga kandidatët me suksesin më të mirë, sipas rangimit nga lista përfundimtare e rezultatave.
Fitimi i lëmisë specialistike do të jetë publik dhe transparent.

Konkursi do të publikohet në mediat e shkruara ditën e parë të punës pas festës së Vitit të Ri, dhe i njëjti do të publikohet edhe në web faqen e Ministrisë së Shëndetësisë: www.msh.rks-gov.net