Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh fuqizon bashkëpunimin në shëndetësi me Turqinë

Prishtinë, 17 janar 2019

Delegacioni i Ministrisë së Shëndetësisë i udhëhequr nga Sekretari i përgjithshëm Dr. Naim Bardiqi është duke qëndruar në vizitë në Republikën e Turqisë.

Gjatë kësaj kohe delegacioni ka zhvilluar disa takime të rëndësishme me autoritet më të larta shtetërore të shëndetësisë në Republikën e Turqisë.

Sekretari i përgjithshëm Dr. Naim Bardiqi është takuar me zëvendësministren e shëndetësisë Prof. Dr. Emine Alp Mese dhe Drejtorin e përgjithshëm për BE dhe mardhënie ndërkombëtare Dr.Selami Kiliç.

Në këtë takim është diskutuar për mbështetjen e deritanishme të Turqisë në shëndetësi si dhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që do të ofrohet në të ardhmen nga Republika e Turqisë në mbështetje të reformës në shëndetësi.

Delegacioni ka zhvilluar takim me Presidentin e institucionit për barna dhe pajisje farmaceutike Dr. Makki Gursoz ku është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e inspektimit farmaceutik.

Sekretari i Përgjithshëm ka zhvilluar edhe një takim  me Prof Dr. Recep Akdag ish zëvendës kryeministër dhe Ministër i Shëndetësisë, tani deputet në Parlamentin e Turqisë që ka qenë ideator dhe zbatues i reformës më të madhe të shëndetësisë në Republikën e Turqisë. Në këtë takim është diskutuar për reformat që po zhvillohen në sektorin e shëndetësisë si dhe përvojat e Turqisë gjatë këtij procesi.

Delegacioni ka zhvilluar edhe një takim në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Turqi me z. Avni Spahiu ku është njoftuar për zhvillimet në shëndetësi si dhe për mundësitë e ngritjes së bashkëpunimit me Republikën e Turqisë.

Ambasadori ka shoqëruar delegacionin në takimet e nivelit të lartë  që janë zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë.