Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh: Gjendja në burgje sa i përket TB është plotësisht nën kontroll

Prishtinë, 17 mars, 2014

Bazuar në shkrimin e Koha Ditore, të datës 17. 03. 2014, me titull: “Shtohet numri i të sëmurëve me Tuberkuloz në Burgun e Lipjanit”, me autore B. A. Departamenti Shëndetësor i Burgjeve informon se në të gjitha burgjet e Kosovës për momentin janë vetëm dy raste të konfirmuara me TB: njëri në trajtim në QKUK dhe  tjetri në Burgun e Dubravës.

Ndërsa, rasti të cilit i referohet sot gazeta, është i liruar nga burgu pasi i ka përfunduar procedurat dhe trajtimi i tij bëhet në shtëpi, pasi që personeli mjekësor i burgut, ia ka dhënë atij terapinë me veti pas lirimit nga burgu.

Kurse, rasti i cili ka ardhur me TB në burg, është duke u trajtuar në Klinikën e Pulmologjisë të QKUK-së në Prishtinë. Të dy rastet janë duke u trajtuar konform protokollit të trajtimit të Klinikës së Pulmologjisë.

Janë marrë të gjitha masat kundër-epidemike dhe përpunimi i rasteve të kontaktit sipas po këtij protokolli. Gjendja është nën kontroll dhe nuk ka kurrfarë arsye për shqetësim.