Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh i jep mbështetje Programit për Tuberkuloz

Prishtinë, 17. 12. 2013

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e  Shëndetësisë, sot, në Prishtinë u mbajt takim pune lidhur me implementimin e rekomandimeve kryesore  të rishqyrtimit të Programit Kosovar për Tuberkuloz (TB).

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani tha se Kosova është duke kaluar nëpër fazën e tranzicionit social, politik dhe kulturor, dhe si pasojë e varfërisë së shprehur, buxhetit të ulët për shëndetësi dhe reformës aktuale në shëndetësi, tuberkulozi mbetet problem i shëndetit publik në Kosovë. Por, shtoi ai, përkundër buxhetit të ulët, MSH-ja është përkushtuar që të mbështesë kontrollin e TB. Duke e vlerësuar punën e bërë të ekipit, Agani tha se është shumë e rëndësishme që gjatë implementimit të këtij programi, të ketë mbështetje të vazhdueshme nga ekspertët ndërkombëtarë. Ai, i siguroi të pranishmit se MSH- ja do të ofrojë mundësitë, që përfundimet e këtij raporti të funksionojnë në ngritjen e nivelit të cilësisë, në ofrimin e trajtimit mjekësor të tuberkulozit.

Ndërkaq, Dr. Skender Syla, Shef i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, e  bëri një rezyme të shkurtër të Draftit final të Programit Kosovar për TB dhe shtoi se është përgjegjësi e zyrtarëve gjegjës që rekomandimet e dhëna në këtë draft të realizohen në praktikë.

Në këtë takim, Draftit final “Shqyrtimi i Programit të Tuberkulozit në Kosovë”, i përgatitur nga ekspertë ndërkombëtar dhe vendorë u prezantuar nga Dr. Jaan Veen, bartës i hartimit të këtij drafti.

Gjithashtu, nga MSH-ja u prezantuan veprimet e ndërmarra nga Programi Kosovar për TB, që nga realizimi i rishqyrtimit.

Pas këtyre prezantimeve u diskutuan mundësitë  për implementimin e Programit të TB-së dhe rekomandimet e rishikimit, duke u bazuar në implikimet afatshkurtra dhe afatgjata të reformës në sektorin e shëndetësisë.