Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh-ja bisedon me përfaqësuesit e fondacionit humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”

Prishtinë, 13 janar 2016

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë pritur në takim përfaqësuesit e Fondacionit humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe organizatës “AmeriCares”.

Fondacioni humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” i mbështetur nga organizata “AmeriCares”, ka dhuruar edhe për këtë vit medikamentin e surfaktantit në njësinë e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Donacioni është 300 shishe të këtij medikamenti jetik për foshnjat e Kosovës dhe ky donacion mbulon nevojën e njësisë për vitin 2016.

Dr. Merita Vuthaj, Udhëheqëse e Divizionit  për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës – MSH, ka falënderuar Fondacionin humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe organizatën “AmeriCares”, për mbështetjen që po i japin shëndetësisë së Kosovës, që në këtë rast me sigurimin e medikamenti të surfaktantit kanë shpëtuar jetë të foshnjave, me ç’rast ka ndarë mirënjohje për ta.

Dr. Vuthaj ka thënë se për MSh-në, është jetike vazhdimi i bashkëpunimit me ju, dhe besojmë se përveç ndihmës me medikamente të surfaktantit do të gjejmë mirëkuptim tek ju për të ndihmuar shëndetësinë tonë edhe në nevojat tjera.

Përfaqësuesit e fondacionit dhe organizatës “AmeriCares”, duke shpreh kënaqësinë e tyre për mundësinë që kanë pas për të ndihmuar foshnjat me medikamentin e surfaktantit, kanë shtuar se kanë vullnetin që ta ndihmojnë Kosovën, në vazhdimësi në fushën e shëndetësisë, aty ku është më shumë e nevojshme, varësisht nga mundësitë që ata do t’i kenë në të ardhmen.

Medikamenti i surfaktantit është shumë i shtrenjtë dhe sigurohet nga partneri shumëvjeçar i “Aksionit për Nëna dhe Fëmijë” – AmeriCares dhe Laboratorët Abbvie në SHBA. Arritja e tij në Kosovë bëhet e mundshme falë donacioneve të mbledhura nga ngjarjet e vitit 2015 si #vrapopërzemra dhe “Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët”.

Pa surfaktant të mjaftueshëm, mushkëritë e foshnjës nuk mund të zhvillohen dhe foshnjat e lindura para kohe vdesin. Bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin e surfaktantit deri disa javë pas lindjes. Kështu, medikamenti i surfaktantit është jetik për parandalimin dhe trajtimin e RDS (sindromës së ankthit të frymëmarrjes) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë së foshnjave. Ky medikament shfrytëzohet afërsisht nga 250-300 foshnje çdo vit.