Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH ka zhvilluar reforma pozitive në sektorin e Farmacisë

Pavarësisht përpjekjeve për t’i mohuar këto zhvillime nga ata që reformat i shohin pengesë, faktet flasin të tjera gjëra.

Sipas të dhënave të MSH-së, Lista Esenciale e barnave në Kosovë është siguruar në shkallën 80 për qind, Hemodializa është e mbuluar tërësisht me terapi e material shpenzues, është siguruar Ribavrina (kundër Etheve Hemorragjike), Tamiflu kundër Gripit A H1N1, është siguruar terapia për 65 pacientë në vitin 2008 dhe për 100 pacientë për vitin 2009 për Sklerozën multiple për herë të parë pas vitit 1999, janë siguruar Insulinat  për të gjithë pacientët, është bërë sigurimi i terapisë kundër HIV/AIDS-it, si dhe është bërë rritja e vazhdueshme e sasisë së vaksinave kundër gripit sezonal, prej 5000 e 12.000 vaksina në dy vitet paraprake në  20.000 vaksina për sivjet.

Zhvillime pozitive kanë ndodhur edhe në aspektin e avancimit të legjislacionit dhe në këtë aspekt, është bërë Amandamentimi i Ligjit 2003/26 për Produkte dhe Pajisje Medicinale;  Hartimi i disa Udhëzimeve Administrative si UA 4/2008 për autorizimin për marketing për produkte medicinave; UA 6/2009 për edukimin specialistik pasdiplomik; UA 8/2009 për Inspektoratin farmaceutik; UA  9/2009 për banderola dhe UA për Receta për barna dhe receta për narkotik, derisa në procedurë janë edhe UA për laboratorin e barnave;  për barnatore;   për depo farmaceutike  dhe UA për caktimin e çmimeve të barnave.

Ueb faqja e MSH-së ndërkaq, për të rritur transparencën ka publikur emrat e Barnave të regjistruara në AKPM, barnatoreve të licencuara; Depove të licencuara;  Farmacistëve të licencuar. Nw fillim të mandatit ishin të regjistruara vetëm 442 farmacistë të licencuar, tash janë 640, janë 58 depo farmaceutike të licencuara dhe rreth 320 farmaci të licencuara.  Është bërë regjistrimi i  përfaqësuesve të kompanive të jashtme; Listës Esenciale për barna dhe Listës esenciale për material shpenzues.

Ndërkohë janë ndërmarrë dhe janë në proces edhe shumë punë të tjera në sektorin e Farmacisë si kalimi i Inspektoratit Farmaceutik që ka kaluar në MSH, inspektimet e rregullta është rritur shfrytëzimi racional i buxhetit në Farmaci (98 për qind), zhvillohen takime të vazhdueshme me Shoqatën farmaceutike, është bërë hartimi i Listës Esenciale për barna, material shpenzues e citostatikë nga profesionistët shëndetësor nga të gjitha nivelet e sektorit shëndetësor, janë mbajtur takime të vazhdueshme me Shoqatën e distributorëve Farmaceutik dhe medicinal të Kosovës, është bërë kalimi i dhënies së citostatikëve përmes QKUK-së,  ndarja e barnave nga OTC në AKPM si dhe hartimi i regjistrit për barna (në fazën finale), janë përcaktuar qartë kriteret për tender, është bërë Marrëveshja për deklarimin e çmimeve të barnave, është shfuqizuar vendimi për konfliktin e interesit në AKPM.

Po ashtu është nxjerrë vendimi për pranimin e donacioneve sipas kritereve të caktuara, ku secili donacion që pranohet, kalon nëpër Komisionin që i vlerëson ato sipas dokumentacionit përcjellës; është formuar Grupi ndërministror për asgjësimin e barnave me afate të skaduara, hapja e barnave sipas standardeve,  hartimi i Kodit nacional të barnave së bashku me ATC  si dhe është bërë sigurimi i programit për menaxhimin e stokut farmaceutik.

MSh do të vazhdojë edhe më tej me reformimin e këtij sistemi, pavarësisht se reformat, nuk janë një proces i lehtë.