Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh, Komuna e Rahovecit dhe “Caritas Kosova” nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi për kujdesin shëndetësor shtëpiak dhe ambulantor në Rahovec

Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 90.000 euro

Prishtinë, 20 prill 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi dhe Drejtori i Përgjithshëm i “Caritas Kosova”, Don Viktor Sopi nënshkruan sot Marrëveshjen e bashkëpunimit dhe të bashkëfinancimit “Përkujdesi shëndetësor shtëpiak dhe ambulator në Rahovec –   Home Care 2016”.

Kjo marrëveshje parasheh ngritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor shtëpiak dhe ambulator për qytetarët e komunës së Rahovecit dhe zonave rurale të kësaj komune, rritjen e cilësisë së shëndetit qytetar, si dhe shfrytëzimin racional të resurseve humane shëndetësore në nivel të komunës.

Ministri Imet Rrahmani tha se dita-ditës po zgjerohet bashkëpunimi me Caritas-in dhe Marrëveshja e sotme edhe me Komunën e Rahovecit, mundëson që me partnerët të ofrohen shërbime shëndetësore sa më afër qytetarave. Pasi përmendi se marrëveshja të tilla janë nënshkruar edhe me disa komuna dhe do të nëshkruhen edhe me të tjera, Ministri Rrahmani tha se ky lloj i bashkëpunimit, është shembull i mirë i lidhjes midis pushtetit qendror dhe atij lokal me partnerët e tjerë në interes të shërbimeve më të mira për qytetarët.

Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi tha se me këtë Marrëveshje do të mbulohen me personal mjekësor disa punkte shëndetësore dhe QMF, ndërsa do të kontribuohet në afrimin sa më afër qytetarëve të shërbimeve shëndetësore.

Drejtori i Përgjithshëm i Caritas Kosova”, Don Viktor Sopi tha se në periudhën e parë tre mujore të këtij viti, nga  “Caritas Kosova” dhe shërbimet përmes këtij lloji të bashkëpunimit kanë përfituar 887 qytetarë dhe janë kryer 36.652 vizita dhe trajtime në kuadër të projektit Home Care (Përkujdesi shëndetësor shëndetësor).

Ai falënderoi Ministrin Rrahmani për, siç u shpreh, “kapjen e momentit të duhur që të ndihmohen me ngrohtësi dhe shërbime shëndetësore grupet e ndjeshme të popullatës siç janë të mishuarit”.

Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 90.000 euro. Komuna e Rahovecit do të investoj shumën prej  60.000 €;  Ministria e Shëndetësisë do të investoj shumën prej 20.000 €, ndërsa kontributi nga Caritas Kosova do te jete: dorezimi i vetures per kujdesin shtepiak mjekësor, menaxhimi dhe administrimi i projektit, procesimi i pagave dhe kontributeve në ATK për personelin e angazhuar konform ligjeve, trajnimi i personelit konform standardeve, ndihma në pako higjeniko-sanitare për përfituesit e projektit me një total investimi në vlerë prej 10.000 €.

Caritas Kosova dhe Komuna e Rahovecit janë institucionet implementuese të këtij projekti si dhe do të përcjellin nga afër tërë veprimtarinë e kuadrit profesional (mjekëve dhe infermierëve) të punësuar në këtë projekt, ndërsa të gjithë përfituesve të projektit do t’ju ofrohet shërbim mjekësor i specializuar në familje me qëllim të kujdesit shëndetësorë dhe preventives në shumë sëmundje tjera, që pastaj mund të jenë shumë më të vështira dhe më të shtrenjëta për kurim.