Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh: Marrëveshja me Shqipërinë për Kardiokirurgjinë është një vjeçare dhe do të realizohet

Prishtinë, 9 janar 2015

 

Me qëllim të informimit të drejtë dhe për hir të korrektësisë ndaj autoriteteve të shtetit shqiptar, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës siguron qytetarët se po bën çmos, bashkë me autoritetet e Shqipërisë, që Marrëveshja e bashkëpunimit midis Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”në Tiranë, e nënshkruar më 7 nëntor 2014 të jetësohet sa më parë.

Me këtë rast, MSh dëshiron të sqarojë opinionin se kjo marrëveshje, përmes së cilës synohet që Shërbimi i Kardiokirurgjisë i QSUT-së të mbështes Shërbimin e Kardiokirurgjisë së QKUK-së përmes dërgimit të kardiokirurgëve nga Shqipëria në Kosovë, nuk ka skaduar, siç është keqinterpretuar në media, dhe as nuk është marrëveshje tre mujore, por marrëveshje një vjeçare që përfshin periudhën 1 nëntor 2014- 31 tetor 2015.

Shih më poshtë: (Neni 7 dhe Neni 8 i Marrëveshjes)

Marrëveshja

MSh falënderon autoritetet shqiptare për gatishmërinë që ndërhyrjet e ekipeve kardio-kirurgjike të Shqipërisë në Kosovë të nisin sa më parë, ndërsa, me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi, javën që vjen, Ministrat e shëndetësisë të Kosovës e Shqipërisë, do të kenë takim në Tiranë, për bashkëpunimin në shëndetësi midis dy vendeve, ku ndër të tjera, prioritet do të jetë edhe kardiokirurgjia.