Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh mbron pacientët me Sklerozë multiple, jo kompanitë farmaceutike

MSh mbron pacientët me Sklerozë multiple, jo kompanitë farmaceutike

Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen e thellë për dezinformimin e publikut nga një gazetë ditore (Zëri), që mënyrë të paargumentuar dhe pa sjellë asnjë fakt dezinformojnë opinionin në mënyrë bombastike se gjoja Ministria e Shëndetësisë paska” kurdis tender milionësh” në lidhje me një produkt që përdoret tek pacientët me sklerozë të shumëfishtë.

Duke marrë rolin e përfaqësuesve të operatorëve ekonomikë (ndonjërit prej tyre) dhe zëdhënësit të tyre, jo vetëm në artikullin e sotëm, por edhe në artikuj të tjerë ditëve të kaluara në të cilët janë apostrofuar zyrtarë ekzekutivë të MSh-së pa argumente, media të caktuara manipulojnë opinionin duke dezinformuar se gjoja Ministria paska përshtatur specifikat për preparatin Interferon Beta 1B, ndërkohë që ua paska pamundësuar aplikimin prodhuesve të tjerë të llojeve të tjera, siç thotë gazeta.

Gazeta që merret me këtë temë nuk u shpjegon lexuesve se me rastin e sigurimit të terapisë për Sklerozës Multiple (Sklerozës së shumëfishtë), nuk mund të dilet jashtë Listës Esenciale dhe nuk mund të kontraktohen preparate të cilat nuk janë të përfshira në këtë listë dhe të cilat nuk janë paraparë prej ekspertëve të fushës si terapi e zgjedhur për trajtimin e kësaj sëmundje.

Gjithashtu, në këtë artikull dezinformues,  gazeta nuk sjell asnjë argument të Këshillit për Neuroshkencë, Shoqatës së pacientëve me Sklerozës Multiple apo klinicistëve që e kanë kërkuar preparatin për nevoja të pacientëve të tyre, për të dhënë një pasqyre më të qartë rreth përdorimit të këtij produkti në Kosovë, i cili është i regjistruar prej disa vitesh.

Po t’i kishte kërkuar gazeta këto argumente nga autoritetet përgjegjëse do të gjente se:

 Argumenti I

Skleroza e shumëfishtë sot trajtohet me tre preparate: Interferon Beta 1B që jepet nënlëkurë; Inteferon 1A intramuskular dhe Interferon 1A nënlëkurë.

Prej 4 formave të Sklerozës Multiple:

  • Inteferon Beta 1B nën lëkurë mbulon 3 forma të Sklerozës Multiple;
  • Interferon  Beta 1A intramuskular mbulon 2 forma të Sklerozës Multiple;
  • Interferon Beta 1A nënlëkurë mbulonte 2 forma të Sklerzozës Multiple, ndërkohë që studimet e fundit të Agjensionit Evropian të Barnave (EMEA), dëshmojnë se kjo formë mbulon me sukses vetëm një formë të Sklerozës Multiple.

Argumenti II

Nëse pacientët fillojnë terapinë e tyre me një lloj të interferonit, në rastin e Kosovës 80 pacientët e parë me interferon Beta 1 B trajtimin e kanë filluar në vitin 2009, do të ishte gabim profesional të ndryshohet terapia dhe në këtë rast, nuk do të bëhej fjalë më për trajtim profesional mjekësor, por për detyrim “jo-medicinal”, dhe për interes të ndonjë operatori ekonomik;

 Argumenti III

Çmimi i Interferonit Beta 1B, të cilin e marrin pacientët në Kosovë, është çmimi më i lirë i kontraktuar për këtë preparat nga të gjitha vendet e rajonit dhe kjo është arritur falë mirëkuptimit që Këshilli për Neuroshkencë, Shoqata e pacientëve me Sklerozë Multiple kanë pasur nga prodhuesi, i cili ka mirëkuptuar rrethanat e vështira ekonomikë dhe sociale të Kosovës duke e lejuar preparatin me çmim më lirë se kudo në rajon që t’u sigurohet pacientëve kosovarë;

 Argumenti IV

Prej të gjitha llojeve të Inteferonit që qarkullojnë në tregun farmaceutik të rajonit: Interferon Beta 1B nënlëkuror,  Interferon Beta 1A intramuskular dhe Interferon Beta 1B nënlëkuror, preparati Inteferon Beta 1B nënlëkuror ( të cilin pacientët kosovarë e marrin nga viti 2009), është preparati më i lirë prej këtyre preparateve në treg.

 Argumenti V

Gjatë transportit, Interferoni Beta 1 A intramuskular dhe Interferoni Beta 1A nënlëkuror, duhet të transportohen përmes “zinxhirit të ftohtë” të ruajtjes, përndryshe dëmtohet efekti i tyre, ndërsa Interferon Beta 1B nuk ka nevojë për transport përmes “zinxhirit të ftohtë” të ruajtjes, që do të thotë se e ul ndjeshëm koston e shpenzimeve, ndërkohë që në aspektin farmaceutik, klinicistët kanë dëshmuar se efektet terapeutike të tij janë të jashtëzakonshme dhe më efektive se dy llojet e tjera të Intereferonit.

MSH beson se po t’i kishte konsultuar këto fakte gazeta, të cilat janë të dëshmuara edhe në mënyrë shkencore dhe për të cilat dëshmia më e mirë janë vet pacientët në Kosovë, në opinion nuk do të plasohej një artikull, në të cilin, gjithashtu, me asnjë fjalë të vetme, nuk citohet ndonjë organ zyrtar që mbikëqyr procesin e prokurimit publik në Kosovë, për të konstatuar shkelje nga ana e Ministrisë në proces të sigurimit të terapisë për këtë kategori pacientësh shumë të ndjeshme.

Me që gazeta ka bërë në ballinën e saj një akuzë të rëndë për Ministrinë për “kurdisje” tenderi, Ministria është e detyruar që gazetës t’ia ofrojë këtë mundësi për t’i provuar këto akuza në organet e drejtësisë, të cilave do t’u drejtohet përmes një padie për ta sqaruar këtë çështje.

Me respekt,

Ministria e Shëndetësisë