Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, organizon punëtori për kujdesin shëndetësor në burgje dhe etikën mjekësore

Prishtinë, 2 nëntor 2015

Organizuar nga Departamenti për Shëndetësinë në burgje i Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbështetur nga Këshilli i Evropës, sot në Prishtinë i ka filluar punimet punëtoria dy ditore: Kujdesi Shëndetësor dhe çështjet etike në burgje.

Në këtë punëtori, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Drejtësisë, të organizatave që merren me të drejtat e njeriut, ekspertë ndërkombëtare dhe lokalë të fushave mjekësore dhe juridike…, po diskutojnë për organizimin e kujdesit shëndetësor në burgje dhe çështjet etike që ndërlidhen me ofrimin e këtyre shërbimeve për personat që mbahen në vuajtje të dënimit.

Dr. Milazim Gjocaj, drejtor i Departamentit për Shëndetësinë në burgje në kuadër të MSh-së, tha se duke shfrytëzuar reformën shëndetësore, në marrëveshje të plotë midis MSh-së dhe MD-së dhe duke respektuar edhe rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përgjegjësia e mbrojtjes shëndetësore për kategorinë e personave në vuajtje të dënimit është transferuar nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Shëndetësisë, në korrik të vitit 2013.

Ai tha se këto shërbime janë shumë specifike edhe për faktin se ofrohen nga një Ministri tjetër (MSh) në institucione që administrohen prej tjetrës Ministri (MD). Megjithatë, theksoi dr. Gjocaj, shërbimet shëndetësore janë duke u ofruar në mënyrë profesionale, gjithëpërfshirëse, me kompetencë, dhe janë duke u përmirësuar gjithnjë e më tepër.

Ai,  para pjesëmarrësve,  ka shpjeguar në mënyrë të detajuar strukturën e organizimit të shërbimeve shëndetësore në burgje, vëllimin e punës, llojet e shërbimeve, rezultatet pozitive të arritura dhe sfidat. “Qëllimi i punëtorisë është që përmes këmbimit të përvojave, profesionistët e niveleve të ndryshme shëndetësore,  të jenë në gjendje që çdo herë këto shërbime t’i ofrojnë në mënyrë profesionale dhe me etikë të lartë mjekësore”, tha Gjocaj.

Drejtoresha e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, znj. Isabelle Servoz-Galluci, duke përshëndetur pjesëmarrësit e punëtorisë, tha se kjo është një mundësi mjaft emirë që ekspertët ndërkombëtare dhe ata vendor, të këmbejnë përvojat e tyre, në trajtimin e çështjeve kruciale që lidhen me shërbimet shëndetësore në burgje dhe etikën mjekësore. Në këtë aspekt, ajo ka vlerësuar se punëtoria mund të kontribuojë edhe në adaptimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve që mundësojnë që trajtimi shëndetësor i  të burgosurve në burgje të jetë profesional dhe etik.

Gjatë punëtorisë që, përveç ditës së sotme,  do të mbahet edhe nesër, po trajtohen tema me interes si:  organizimi i shërbimeve shëndetësore në burgje; standardet e KE-së dhe Komitetit Evropian për parandalimin e torturës shikuar nga këndvështrimi i kujdesit shëndetësor dhe etika në burgje; mbrojtja shëndetësore për kujdesin mendor, evaluimi dhe nevojat mjekësore të burgosurve; ekzaminimi dhe mbrojtja shëndetësore; tretmani psikiatrik; planet e trajtimit, aktivitetet terapeutike dhe psiko-sociale për rehabilitim; parandalimi i sëmundjeve ngjitëse; parandalimi i vetëvrasjeve, etj