Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh me partnerët diskutojnë për cilësinë e shërbimet shëndetësore për fëmijët

 

Prishtinë, 14.11.2014

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me agjensionet e Kombeve të Bashkuara: OBSH, UNICEF dhe UNFPA, sot në Prishtinë u mbajt punëtoria lidhur me lidhur me cilësinë e kujdesit spitalor për fëmijë në Kosovë. Gjatë kësaj punëtorie, u prezantua edhe një raport lidhur me cilësinë e këtyre shërbimeve, i realizuar pas vizitave monitoruese, nën përkujdesjen e ekspertes së OBSh-së, Marzia Lazerini.

Ministri Agani tha se cilësia e kujdesit spitalor ndaj fëmijëve është shërbim shëndetësor i një rëndësie të veçantë, ndërsa hulumtimet në këtë fushë, japin indikatorë me interes rreth asaj se “a jemi duke përdorur politikat e duhura në ofrimin e kujdesit spitalor në përgjithësi, e në veçanti për fëmijët tanë”.

Gjithsesi, tha Ministri, rekomandimet që dalin nga ky hulumtim do të merren parasysh dhe do të jenë ndihmesë që të bëhen ndryshimet e duhura aty ku është e nevojshme në mënyrë që të përmirësohet cilësia në ofrimin e kujdesit spitalor për fëmijë dhe të avancohet këto shërbime.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, dr. Gani Shabani tha se ardhmja e një vendi është e sigurt aty ku nëna dhe fëmija janë të shëndoshë. “Ky projekt është fakt i rëndësishëm që të na orientojë në hapat e mëtutjeshme. Pra, nga ky takim presim një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, tha Sekretari Shabani.

Dr. Skënder Syla, Shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, tha se hulumtimi është bazë e mirë në asistim të reformës shëndetësore, ngase raporti nxjerr në pah realitetin e kujdesit spitalor të fëmijëve në Kosovë. “Është një tregues i qartë i sukseseve apo ngecjeve në këtë aspekt. Të gjeturat e hulumtimit do të mundësojnë të dimë se ku të fokusojmë punën për të bërë ndryshime pozitive në kujdesin spitalor të fëmijëve”, tha  dr. Syla.

Përveç prezantimit të hulumtimit, u dhanë edhe rekomandime që do të mund të sillnin përmirësime të dukshme sa i përket kujdesit spitalor për fëmijë, po ashtu, përmes punës praktike në tre grupe, me udhëheqës të niveleve të ndryshme të kujdesit shëndetësor,  u prezantuan projekt propozime lidhur me plane pune për plan-përmirësimin e kujdesit shëndetësor për fëmijët.