Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh: Memorandumi me “Gjysëmhënën e Kuqe” nuk e ka subjekt projektin e implanteve kohleare

MSh: Memorandumi me “Gjysëmhënën e Kuqe” nuk e ka subjekt projektin e implanteve kohleare

Përmes këtij reagimi ndaj shkrimit të botuar, sot më 18.02. 2014, në gazetën “Tribuna” fq. 10-11, Ministria e Shëndetësisë  informon opinionin se Memorandumi i Mirëkuptimit midis MSh-së dhe OJQ-së “Gjysëmhëna e Kuqe” nuk parasheh në mënyrë specifike bashkëpunimin për vazhdimin e projektit të implanteve kohleare.  Prandaj, çfarëdo ndërlidhje sikur pretendohet në gazetë, ndërmjet MSh-së dhe Partisë së Drejtësisë, të cilin e kryeson Ministri, në aspektin e ndonjë përfitimi financiar nga ky projekt, është e turpshme, e pabazuar në fakte, qëllimkeqe dhe tendencioze

Prishtinë 18.02.2014

Ministria e Shëndetësisë është informuar për mundësinë e realizimit të projektit të  çrrënjosjes së shurdhimit në Kosovë nëpërmjet vendosjes së impianteve kohleare të siguruara si donacion i organizatave të ndryshme humanitare nga mjeku i nderuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe,  Dr. Mazen Al Hajri në vjeshtën e vitit 2012 nga organizata jo-qeveritare “ Gjysmëhëna e Kuqe e Kosovës “ , e kryesuar nga z. Adem Ademi, i cili njëkohësisht ishte dhe është anëtar i kryesisë së Partisë së Drejtësisë, kryetar i së cilës është Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani.

Duhet të theksohet se realizimi i këtij projekti nuk ka pasur kurrfarë implikimi financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe  pas realizimit të suksesshëm të këtij projekti humanitar, MSh me datën 09.01.2013 ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me organizatën “ Gjysmëhëna e Kuqe e Kosovës “,  në të cilën janë specifikuar fushat e tjera të bashkëpunimit të mundshëm dhe në mesin e tyre në Memorandum fare nuk përmendet në mënyrë specifike vazhdimi i projektit të impianteve kolhelare.

Prandaj, OJQ “ Gjysmëhëna e Kuqe” nuk është në situatë që në asnjë mënyrë të kushtëzojë donatorin për zbatimin e këtij projekti nëpërmjet saj, sepse ky Memorandum i Mirëkuptimit, me asnjë pikë të tij, nuk e parasheh këtë detyrim dhe nuk e ka subjekt projektin e impianteve kohleare.

Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhje për shkak të apostrofimit të emrit të mjekut dhe humanistit Dr. Mazen Al Hajri në këtë kontekst dhe informon opinionin se do të bëjë të gjitha përpjekjet për vazhdimin e realizimit të projektit humanitar në interes të qytetarëve të vendit që kanë nevojë për impiant kohleare.

Mbështetur në faktet e sipërpërmendura , çfarëdo ndërlidhje sikur pretendohet në shkrimin në gazetë, ndërmjet MSh-së dhe Partisë së Drejtësisë të cilën e kryeson Ministri, në aspektin e ndonjë përfitimi financiar nga ky projekt, është e turpshme , e pabazuar në fakte, qëllimkeqe dhe tendencioze.

Problemet eventuale ndërmjet donatorit dhe OJQ-së në fjalë, paraqesin ekskluzivisht çështje të marrëdhënieve të tyre reciproke, në të cilat MSH-ja, në asnjë mënyrë nuk është e implikuar.